Autoriteti Kosovar i Konkurrencës përmes një komunikate për opinionin paralajmëron së shpejti mbajtjen e seancave dëgjimore me ndërmarrjet nën hetim për mosrespektimin e konkurrencës.
Në komunikatën e AKK-së thuhet se përmes kësaj komunikate për media, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dëshiron të informojë mediat dhe qytetarët e Kosovës rreth zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me hetimet që AKK është duke zhvilluar lidhur me çmimin e derivateve të naftës për dy muajt e fundit të vitit 2018.
Siç kemi njoftuar në nëntor të vitit 2019 kur kemi shpalosur gjetjet e Njoftimit të fakteve paraprake, AKK u ka dhënë kohë të mjaftueshme të gjithë operatorëve që janë subjekt i këtij hetimi që t’i dërgojnë komentet e tyre lidhur me hetimin në fjalë.
Në këtë kontekst, AKK njofton se tashmë ka pranuar komentet e operatorëve dhe pas shqyrtimit te tyre, ka konstatuar që AKK qëndron prapa gjetjeve të paraqitura në Njoftimin e fakteve paraprake.
Sidoqoftë, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do të fillojë së shpejti mbajtjen e seancave dëgjimore me ndërmarrjet nën hetim, me ç’ rast palët do ta kenë mundësinë t’i kontestojnë faktet e konstatuara të AKK-së në seancë dëgjimore. Ky proces do t’i paraprijë një vendimi përfundimtar nga ana AKK-së lidhur me këtë çështje.
Lidhur me mbajtjen e seancave dëgjimore, AKK do të njoftojë me kohë të gjitha operatorët që janë subjekt i hetimit.
Siç është sqaruar edhe më herët, ky hetim ka nisur në fillim të vitit 2019, kur ishin ngritur dyshime se operatorët e shitjes me pakicë të këtyre derivateve nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale gjatë caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, kur çmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjti përkundër rënies së çmimit në bursën ndërkombëtare.
Gjithashtu, AKK është duke i përcjellë me vëmendje ankesat e bizneseve lidhur me dyshimet për rritjet e çmimit të çimentos, të aplikuara nga një ndërmarrje që ka pozitë të fuqishme në tregun e çimentos në Kosovë. Bazuar në mandatin e tij, AKK do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çfarëdo shkeljeje të mundshme të konkurrencës dhe do të njoftojë publikun lidhur me çdo zhvillim të mundshëm rreth kësaj çështjeje.