Një projekt për pajisjen me aparatura dhe makineri të caktuara për bizneset prodhuese me qëllim fuqizimin e tyre në tregun vendor e synimet që të dalin në tregun e jashtëm, ka përfunduar me dyshimet për keqpërdorime.
Komuna e Ferizajt dhe operatori ekonomik “Altini SHP.K” që ka fituar tenderin prej 150 mijë eurosh, po akuzohen se kanë bërë falsifikime, pasi në vend të mjeteve gjermane, kanë bërë shpërndarjen e veglave kineze. Për gjithë këto dyshime për dallavere, Kompania “Këneta” ka dorëzuar një denoncim në njësinë e krimeve ekonomike të Policisë së Kosovës.
Në fakt tenderi në të cilin Komuna e Ferizajt ishte donatore e disa mjeteve të punës në kuadër të Fondit të Punësimit, është bërë “mollë sherri” mes përfituesve të donacioneve, operatorit ekonomik fitues të tenderit prej 150 mijë euro, si dhe kompanisë “Këneta”, që është distributor dhe shitës me shumicë i veglave të punës dhe pajisjeve të ndryshme, e veglat e së cilës pretendohet se u janë dhënë përfituesve.
Operatori Ekonomik “Altini SHP.K”, i cili kishte fituar tenderin në Komunën e Ferizajt dhe ishte përgjegjës për shpërndarjen e donacioneve, kishte vendosur që veglat gjermane të cilat i shet kompania “Këneta” i plotësonin kushtet e duhura.
Megjithatë, problemi doli në sipërfaqe vetëm kur është bërë shpërndarja e mjeteve. Kjo pasi, disa prej 38 përfituesve vërejnë se veglat nuk ishin gjermane. Ato u dolën të mallit kinez. Kështu përfituesit fillimisht ishin ankuar tek “Këneta”, duke thënë madje edhe se s’do ta pranon mallin fare.
E fakti që ishin bërë dallavere me emrin e saj i preku në “tel” drejtuesit e kompanisë “Këneta”.
Duke u përballur me këtë situatë, “Këneta” ka treguar se nuk ka gisht në këtë çështje. Kështu, kjo kompani bëri edhe denoncim për keqpërdorim të emrit të saj, si dhe mashtrim e falsifikim nga fituesi i tenderit “Altini SHP.K” dhe komuna e Ferizajt.
Kompania “Këneta SH.P.K” është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës me numër biznesi 71290476 dhe me kapital prej 1 milion e 200 mijë eurosh.
Drejtori i “Kënetës”, Hyzri Aliu tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se gjithë këtë keqpërdorim e ka bërë komuna së bashku me fituesin e tenderit.
Sipas Aliut, tenderin e ka fituar një kompani që nuk ka lidhje me vegla pune dhe e cila sipas tij ka shpërndarë vegla false.
“Ka sjellë dikush vegla të Kinës, makinë false kanë sjellë. Ne s’kemi marrë pjesë në ato gjëra por Komuna i ka bërë disa keqpërdorime së bashku me fituesin e tenderit për shpërndarjen e donacioneve. Ne e kemi përfaqësinë e makinës. E kanë keqpërdorë pak vulën tonë. Tek ne i kanë marrë ofertat me mall origjinal edhe kjo ka dalë në tender. Tenderin e ka marrë dikush që s’merret me vegla hiq, e ka fitu tenderin prej Komunës dhe ka shpërnda vegla false”, ka deklaruar ai.
Hyzri Aliu tregon se pas gjithë këtyre keqpërdorimeve e falsifikimeve kanë dorëzuar një denoncim në njësinë e krimeve ekonomike të Policisë së Kosovës.
“Ne e kemi denoncu krimin tek rastet ekonomike dhe tash ata po merren. Ka vlerë goxha ky tender, komplet ka qenë 150 mijë euro, por nuk ka pas vetëm makina, edhe gjëra tjera kanë pas me u shpërnda në gjithë atë projekt”.
E siç e theksuam edhe më lartë, problemi doli në sipërfaqe vetëm kur është bërë shpërndarja e mjeteve. Kjo pasi, disa prej 38 përfituesve vërejnë se veglat nuk ishin gjermane. Ato u dolën false e mall kinez.
Bajrush Musa, është njëri nga qytetarët që kishte thënë para mediave se madje nuk do t’i pranojë këto mallra pasi janë false.
“Jam përfitues i 3.720 eurove kurse këta na i kanë pru të gjitha mjetet e Kinës që unë i refuzoj, nuk i marr dhe kisha dashur me i pyes a na i kanë dhënë me na kry punë apo na i kanë dhënë këto ndihma me na i qorru sytë. Unë i refuzova dhe nuk jam i kënaqur aspak, këto nuk na kryejnë punë aspak, unë këto ditë i kam dërgu për hekura disa burmashina që nuk më hynë në punë, edhe këta ishin sikur ato që i kam gjuajtur”, pati deklaruar Musa për media.
E ndërkohë nga Komuna e Ferizajt, mohojnë që të jenë të përfshirë dhe të kënë përgjegjësi në këtë rast. Zekir Bytyqi, drejtor i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në këtë komunë, ka thënë për FaktePlus se komuna e ka respektuar Ligjin e Prokurimit Publik, në dhënien e tenderit.
“Ne si komunë, i kemi kërkuar pajisjet të cilat i kanë shku bizneseve, e kemi çuar në prokurim dhe është Ligji i Prokurimit që nuk e lejon të favorizohen biznese të caktuara. Operatori Ekonomik ka vendosë për “Kënetën” pasi që specifikat kanë qenë ashtu të kërkuara”, ka deklaruar ai.
Tutje Bytyqi thotë se bizneset në përgjithësi kanë qenë të kënaqura me mjetet që i kanë përfituar, ndërsa aty ku ka pasur pakënaqësi, komuna ka intervenuar. Ai pretendimet kompanisë “Këneta” dhe denoncimin e saj në polici e quan si të pabazë.
“Komuna nuk është e involvuar në këtë rast. Ne pajisjet ia kemi dhënë bizneseve, të gjitha bizneset e kanë nënshkruar, e kanë pranu e janë të kënaqura. Disa të tjerë që kanë pas pengesa apo kërkesa të ndryshme, në konsultim me operatorin që e ka përfitu tenderin, ua kemi mundësuar që me ia kthy ato që i kanë kërku. Ka mundur mos me qëllu bash saktë, por në përgjithësi bizneset janë të kënaqura. Kurse “Këneta” nuk e ka problemin veç me kompaninë “Altini” Sh.P.K ka probleme me treg që ka produkte të “Kënetës”. Kjo kompani është duke u përballur me falsifikime të ndryshme në treg”, tha ai.
FaktePlus ka kërkuar nga komuna e Ferizajt qasje në njoftimin për dhënie të kontratës prej 150 mijë euro, por kjo nuk është mundësuar.
Sidoqoftë, rastin në fjalë janë duke e monitoruar edhe nga rrjeti i OJQ-ve, AVONET.
Kenan Gashi, Drejtor i AVONET-it tha se po merren me hulumtimin e rastit, por paraprakisht janë duke e pritur rezultatin nga hetimet e prokurorisë dhe policisë.
“Jemi duke u marrë me hulumtimin e rastit që ka të bëjë me një shërbim që është krijuar në komunën e Ferizajt, por ne jemi duke pritur rezultatet e prokurorisë dhe policisë së krimeve ekonomike që po e hetojnë këtë rast. Rasti është në fazën e hetimeve dhe s’kemi dashtë me hetu asgjë deri në përfundimin e tyre”, tha Gashi për FaktePlus.
Ndryshe, edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar se është bërë një denoncim, ku paraqiten dyshime për keqpërdorim të markës dhe të drejtave industriale të një subjekti tregtar.
“Më datë 04.11.2019 NJRHKEK Ferizaj ka pranuar informacion me dyshime për keqpërdorim të markës dhe të drejtave industriale të subjektit tregtar nga një kompani në Ferizaj. Çështja ka të bëjë me një donacion nga Komuna e Ferizajit në lidhje me furnizimin e qytetarëve me vegla pune. Lënda është duke u trajtuar nga NJRHKEK Ferizaj”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës për FaktePlus.
Kujtojmë se Neni 298 “Mashtrimi i konsumatorëve” i kapitullit “Veprat penale kundër ekonomisë” të Kodit Penal të Kosovës, thotë që “Kushdo që gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike dhe me qëllim të mashtrimit të blerësve apo konsumatorëve, përdor ose posedon me qëllim të përdorimit si emër apo shenjë të tij ose shenjë të veçantë të mallrave të tij, emrin apo shenjën e tjetrit, shenjën e mallrave apo shenjën e shërbimeve të tjetrit, ose shenjën e tjetrit që lidhet me prejardhjen gjeografike ose ndonjë shenjë tjetër të veçantë të mallrave apo përbërësve të tyre, dënohet me burgim deri në tre vjet”.
Paragrafi i dytë i këtij neni ndërkohë thotë që “Kushdo që me qëllim të mashtrimit të blerësve apo konsumatorëve, përdorë gjatë prodhimit shenjën apo modelin e tjetrit pa autorizim, ose vë në qarkullim artikujt e prodhuar në këtë mënyrë, dënohet me dënimin nga paragrafi 1. i këtij neni. Ndërsa sendet dhe pajisjet për prodhimin e tyre, konfiskohen”.
Kurse neni 299 “Mashtrimi i blerësve” thotë që Kushdo që me qëllim të mashtrimit të blerësve vë në qarkullim prodhime me shenjën në të cilën janë shënuar të dhëna të cilat nuk i përgjigjen përmbajtjes, llojit, prejardhjes apo kualitetit të produktit, vë në qarkullim produkte të cilat për nga pesha apo kualiteti nuk i përgjigjen asaj që rregullisht parashihet te produktet e tilla apo vë në qarkullim produkte pa shenjat që tregojnë për përmbajtjen, llojin, prejardhjen apo kualitetin e produktit kur shenja e tillë kërkohet me ligj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.