Për shkak së lënda ende gjendet në super-ekspertizë financiare është anuluar rigjykimi që po zhvillohet ndaj ish-zyrtarit të Postës së Kosovës, Enver Ajeti, i cili po akuzohet se kishte përvetësuar mbi 70 mijë euro.
Ajeti po akuzohet se nuk i kishte dorëzuar pazaret ditore në bankë dhe me këtë rast nga arka kishte përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro, ku për këtë ishte dënuar me 1 vit burgim efektiv dhe 1.000 euro gjobë, mirëpo Apeli e kishte kthyer lëndën në rigjykim, “Betimi për Drejtësi”.
Pasi eksperti financiar, Remzi Smajli, në seancën e 20 dhjetorit 2019, në të cilën ishin ballafaquar ekspertët, kishte deklaruar se gjatë përpilimit të ekspertizës financiare nuk i ishin dorëzuar ngarkesat e detajuara për pikën postare në Podujevë dhe për të akuzuarin Ajeti, ai ishte obliguar që të plotësojë këtë ekspertizë.
Për këtë arsye, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Faton Ejupi ishte obliguar që ekspertit financiar Smajli t’ia ofrojë të gjitha dokumentacionin e nevojshëm.
Mirëpo, për shkak se kjo ekspertizë nuk kishte përfunduar as për seancën e së premtes kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani, për “Betimi për Drejtësi”, tha se për shkak se ende nuk ishte kryer super-ekspertiza, palët ishin njoftuar paraprakisht se seanca e së premtes nuk do të mbahet.
Ndërsa, seanca e radhës tha se ende nuk është caktuar.
Në seancën e kaluar të mbajtur me 20 dhjetor 2019, ishin ballafaquar katër ekspertët financiarë Riza Blakaj, Xhevdet Krasniqi, Ali Galica dhe Remzi Smajli, për shkak se prokurori Shkëlzen Ibrahimi kishte deklaruar se katër ekspertizat e realizuara në këtë rast ishin kontradiktore dhe se ishte e nevojshme të dihej dëmi i saktë. .
Ky gjykim po kryesohet nga gjykatësja Violeta Namani, pasi që gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, i cili e kishte gjykuar këtë rast herën e parë, është pensionuar.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në maj të viti 2018, Enver Ajetin e kishte dënuar me 1 vit burgim efektiv, 1000 euro gjobë, si dhe ishte obliguar që të paguante shpenzimet e procedurës.
Po ashtu, ai ishte detyruar që në bazë të kërkesës pasurore juridike, Postës së Kosovës t’i kompensonte shumën prej 36.376 eurosh, e që realizmi i këtij kompensimi ishte udhëzuar të zhvillohet në kontest civil.
Mirëpo, sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i shkallës përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke shtuar se gjykata ka dështuar të vërtetojë se sa ka qenë shuma e dëmit që i akuzuari Ajeti thuhet se e ka përvetësuar.
Sipas Apelit, ekspertizat e bëra nuk përputhen njëra me tjetrën dhe janë kundërthënëse sepse nga tri ekspertiza paraqiten shifra të ndryshme sa i përket mos deponimit të pazareve ditore në bankë, e që për këtë sipas Apelit, është dashur të bëhej një ekspertizë e re nga një institutin i specializuar që të hiqen dilemat se cila realisht kishte qenë shuma e dëmit të shkaktuar.
Gjykata e Apelit e ka obliguar Gjykatën Themelore që të mënjanojë shkeljet esenciale dhe që për rastin të bëj edhe një super ekspertizë e më pas të merret vendimi për çështjen.
Ky proces gjyqësor, zhvillohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila e akuzon Enver Ajetin se në cilësinë e kontrollorit të degës së Postës së Kosovës në Podujevë, nuk i kishte dorëzuar në bankë për një periudhë kohore pazaret ditore, punë që duhej ta kryente duke qenë se ishte i ngarkuar me menaxhimin e të hyrave apo mjeteve financiare.
Sipas aktakuzës, pretendohet se Ajeti në bankë nuk i ka dorëzuar pazaret ditore, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me këtë rast nga arka ka përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro, të cilën mungesë e ka zbuluar komisioni i kontrollës operative regjionale të Postës së Kosovës si dhe Koordinatorja e Financave të Postës së Kosovës.