BE jep mbi 76 milionë euro për rinovimin e termocentralit Kosova B

Kosova ka nënshkruar marrëveshjen “e gjelbër” me Bashkimin Evropian për rinovimin e Termocentralit Kosova B dhe ndërrimin e elektro-filtrave dhe reduktimin e pluhurit dhe DENOX-it në vlerë prej 76.4 milionë euro.

Me këtë rast, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Josep Borrell i cili po qëndron për herë të parë në Kosovë pas marrjes së detyrës, ka thënë se realizimi i këtij projekti do t’i ndihmojë Kosovës në trajtimin e parandalimit të ndotjes së ajrit.

“Sot jemi këtu për të bërë një investim të madh nga BE-ja, ne jemi të kënaqur që të japim 76 milionë euro që të ndihmojmë Kosovën në trajtimin e ndotjes së ajrit dhe të reduktojmë dyoksid karbonin”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Krahas saj diplomati evropian tha se Kosova duhet të punojë më shumë për të pasur ajër më të pastër pasi gjendja aktuale nuk është e mirë.

“Kosova ka nevojë për lumenj më të pastër, ajër më të pastër, tokë më të pastër. Çështja e shëndetit është shumë me rëndësi dhe të ruhet natyra për gjeneratat dhe brezat që vijnë pas nesh. Ne e dimë këtë më mirë. Ne e dimë që ajri i ndotur është problem madhor për Kosovën, disa qytete të Kosovës janë në mesin e qyteteve më të ndotura në botë. Prishtina e di këtë shumë mirë, pasi për një kohë të gjatë ka qenë në mesin e qyteteve më të ndotura sa i përket ajrit. Kjo është e vërteta, në përgjithësi termocentralet e thëngjillit janë ndotës të mëdhenj në Evropë që e dëmtojnë shëndetin dhe mirëqenien njerëzore. Kur flasim për jetën, sepse ndotja e ajrit vret”, tha ai.

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi duke përmendur të gjitha investimet e Bashkimit Evropian në institucionin që ai udhëheq tha se kanë arritur të eliminojnë disa prej ndotësve kryesorë, derisa mbështetja e fundit prej 76.4 milionë euro për ndërrimin e elektro – filtrave dhe reduktimin e pluhurit dhe DENOX-it sipas tij do të jetë jetike për Kosovën dhe sektorin e energjisë.

Krahas saj Thaçi bëri të ditur se edhe KEK-u në këtë projekt do të bëj investime në vlerë prej 54 milionë euro.

“Këto sfida i kemi trajtuar me radhë dhe janë eliminuar të gjitha dhe tani kemi një realitet tjetër. Prandaj u jemi thellësisht mirënjohës dhe falënderues që na mundësuat të tejkalojmë edhe sfidën më të madhe me të cilën jemi ballafaquar deri tani dhe po e tejkalojmë falë mbështetjes financiare prej 76.4 milionë euro për ndërrimin e elektro – filtrave dhe reduktimin e pluhurit dhe DENOX-it. Në kuadër të këtij projekti edhe KEK-u me përkushtim maksimal është duke punuar në realizimin e investimeve në vlerë prej 54 milionë euro. Në këtë aspekt, investimi i BE-se në elektro-filtra është jetik për Kosovën dhe për sektorin e energjisë”, tha ai.

E shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se duhet të punohet më shumë për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, dhe se për këtë arsye BE është angazhuar për këtë projekt.

Fjalë të mira për këtë projekt pati edhe menaxherja e projektit Rinora Gojani. Ajo mes tjerash kërkoi nga BE t’i bëjë më shumë presion Serbisë për zbatim të disa marrëveshjeve që ndërlidhen me parandalimin e ndotjes së ajrit.

Bashkimi Evropian në mënyrë të vazhdueshme e ka mbështetur financiarisht KEK-un, ku prej vitit 2000 vlera shkon në 177 milionë euro. /ksp/