Borrelli nesër në Prishtinë

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka konfirmuar se Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të qëndrojë nesër në Kosovë. Ndërkaq, pasnesër, Borrelli do të vizitojë edhe Serbinë.

Siç mëson KTV-ja, Borrelli vizitën do ta nisë në Prishtinë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Më pas, ai do të zhvillojë takim edhe me partitë politike në Kuvendin e Kosovës.

Borrelli, mësohet se do të ketë edhe vizita tjera për çështje tjera.

Reklama e sponzorizuar

Ditë më parë, zëdhënësi Peter Stano tha se kjo vizitë është shenjë e përkushtimit të shefit të diplomacisë së BE-së ndaj dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Josep Borrell, ditë më parë në Berlin, zhvilloi takime me zyrtarë gjermanë, teksa në agjendën e tij ndodhej edhe një bisedë me emisarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

E përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, gjatë qëndrimit të tij nesër në Kosovë, ka njoftuar se arsyeja e vizitës së tij lidhet me dialogun Kosovë-Serbi. 

“Jam duke pritur për vizitën time të parë zyrtare në Ballkanin Perëndimor i cili tregon përkushtimin tonë ndaj perspektivës së BE-së për rajonin, stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin. Do të jetë një përparësi gjatë mandatit tim dhe duke pasur parasysh vendosmërinë time personale për të përparuar dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja, kam dashur të vizitoj së pari Kosovën dhe Serbinë në rajon. Ka shumë punë të rëndësishme përpara duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës gjatë vizitës time. Mezi po pres ta njohë Kosovën dhe Serbinë dhe të takojë njerëzit e këtyre shteteve”, tha Borrell.