Diplomatët amerikanë e organizuan të hënën nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e fluturimeve komerciale me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve ballkanike.
Serbia dhe Kosova kanë mbetur fqinj të parehatshëm mes vete që nga lufta e viteve 1998-1999, në të cilën mbi 10 mijë persona u vranë dhe më shumë se 1 milion të tjerë mbetën pa strehë, shkruan agjencia “Associated Press”, transmeton Gazeta Express.
Këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Robert O’Brien tha se marrëveshja e nënshkruar në Berlin mes përfaqësuesve të të dyja vendeve paraqet një marrëveshje historike, duke i cilësuar linjat ajrore komerciale si jetike për ekonominë moderne.
Ai tha se mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur fluturime komerciale qe 21 vjet. Tash për tash, për të udhëtuar nga Prishtina në Beograd nevojiten mbi pesë orë përmes transportit tokësor.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministri serb i ekonomisë, Milun Trivulac, dhe drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha. Nënshkrimi ndodhi në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Berlin. Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, shërben edhe si i dërguar special i presidentit Donald Trump për Kosovën dhe Serbinë.
Fluturimet 25-minutëshe mes Prishtinës dhe Beogradit do të realizohen nga kompania “Eurowings”, e cila është pjesë e kompanisë “Lufthansa”. Kompania “Eurowings” e ka një aeroplan të stacionuar në Aeroportin e Prishtinës.
Michael Knitter, shef i operativës në kompaninë “Eurowings”, tha se fluturimet do të fillojnë pasi të dyja vendet t’i largojnë pengesat që ekzistojnë në rregulloret për aviacion./Gazeta Express