Janari i vitit 2020 pritet t’i gjejë rrugët e Podujevës pa një kompani të kontraktuar për mirëmbajtje rrugore.
Kjo për arsye se komuna ende nuk ka kontraktuar kompani që kryen këto shërbime, derisa për mirëmbajtjen përkujdeset kompania e kontraktuar më herët, raporton KTV.
E ndonëse në qendër të qytetit u largua bora, qytetarët nuk janë të kënaqur me punët këtu derisa thonë se komuna po tregohet e papërgjegjshme në këtë drejtim.
Moskontraktimi i deritashëm i një kompanie përgjegjëse, kritikohet edhe nga ngasësit e automjeteve, të cilët thonë se me Podujevën nuk po menaxhohet si duhet.
Ata shtojnë se këto keqmenaxhime po ua bën atyre të pamundshëm qarkullimin me vetura gjatë dimrit.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, zyrtarë komunalë i kanë thënë televizionit se arsye për këtë kanë qenë procedurat e prokurimit, të cilat tashmë kanë përfunduar.
Këto procedura, u hapën vetëm një javë më parë, derisa me datën 31 dhjetor, sipas njoftimit, hapet edhe procedura e aplikimit për kompanitë e interesuara.
“Kanë përfunduar procedurat e prokurimit dhe më 31 dhjetor hapen ofertat e kompanive që kanë konkurruar në tender. Do të përzgjidhen dy operatorë për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit për periudhën dyvjeçare 2020-2021”, ka thënë Nazmi Elezi, zëdhënës në Komunën e Podujevës.
Vlera e parashikuar e tenderit për mirëmbajtjen e rrugëve dhe trotuareve gjatë sezonit dimëror 2020 dhe 2021, të shpallur nga komuna, pritet t’i kushtojë Podujevës më shumë se 200 mijë euro.