Ekspertë të ekonomisë: Qeveria në detyrë mund ta dërgojë buxhetin në Kuvend

Mbi 80 mijë zyrtarë publikë dhe mbi 300 mijë qytetarë që varen nga skemat sociale rrezikojnë që nga muaji mars të mbesin pa paga.

Megjithëse projektbuxheti i 2020-s ishte dërguar në Qeveri nga Ministria e Financave, ai nuk u shqyrtua nga ekzekutivi, me arsyetimin se Kuvendi nuk është funksional, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

Por, as tani kur është konstituuar përbërja e re e Kuvendit, qeveria në dorëheqje po insiston se nuk ka të drejtë ligjore që ta procedojë tutje projektbuxhetin.

E derisa mosmiratimi i buxhetit ka bllokuar të gjitha investimet kapitale, sipas Fatmir Gashit, Zv.ministër në detyrë i Financave, Ligji për menaxhimin e financave publike parasheh vetëm edhe një mundësi ligjore sa u përket pagave.

Por, ekspertët e ekonomisë thonë se qeveria në detyrë nuk ka asnjë pengesë ligjore që ta procedojë projektligjin e buxhetit në Kuvend.

Sipas Berat Thaçit nga Instituti GAP, Gjykata Kushtetuese nuk ka kufizuar asnjë kompetencë të qeverisë në largim dhe për këtë i lejohet të dërgojë buxhetin për miratim, për të evituar një të mundshme buxhetore.

Paralajmërimi për krizë buxhetore ka vënë në lëvizje SBASHK-un, që po kërkon që institucionet të ndërmarrin hapat e nevojshëm që të mos krijohet situatë e rëndë në sektorin publik.

Kurse, eksperti i çështjeve ekonomike, i cili tashmë është pjesë e Vetëvendosjes, Hekuran Murati, përmes një statusi Facebook, ka thënë se Kosova nuk rrezikohet nga një krizë financiare.

Sipas tij, krejt çka nevojitet është formimi i komisioneve parlamentare për t’u bërë funksionalizimi i plotë i Kuvendit.

“Kosova nuk do të ketë krizë buxhetore. Kuvendi tashmë është konstituuar dhe krejt çka duhet është formimi i komisioneve parlamentare që të sigurohet funksionimi i plotë i institucionit”, ka thënë Murati.