Gati 80 milionë euro dha shteti i Kosovës për veteranët gjatë vitit 2019

Më 30 dhjetor në Kosovë u shënua Dita e Veteranit, përmes së cilës u përkujtua sakrifica, angazhimi dhe kontributi i veteranëve për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

E prej se ka filluar pagesa për ish- luftëtarët në Kosovë vazhdimisht ka pasur kritika për numrin e madh të veteranëve, pasi dyshohet se numër i madh i tyre janë deklaruan rrejshëm se kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për numrin e veteranëve të rrejshëm janë ngritur edhe disa aktakuza dhe në gjyq janë disa nga drejtuesit e luftës në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Kurse me miliona euro shpenzohen çdo muaj nga kuleta e shtetit për përfituesit e skemave sociale në vend.

Pensionet bazike të moshës dhe ato kontributdhënëse del të jenë kategoritë që i kushtojnë më së shumti buxhetit të Kosovës.

E kategoria që e rëndon buxhetin më së shumti është ajo e veteranëve të UÇK-së. Brenda një muaji për ish- luftëtarët e UÇK-së shkojnë mbi 6 milionë euro.

Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se deri në muajin nëntor janë dhënë 70 milionë e 384 mijë e 648 euro.

Numri i veteranëve që paguhen nga buxheti i shteti mesatarisht në muaj kalon 38 mijëshin.

Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë pohuar se të dhënët për muajin dhjetor ende nuk janë përfunduar.

Mirëpo sipas një përllogaritje, edhe muaji dhjetor pritet të jetë përafërsisht i njëjtë me pagesa për veteranët, e që marrë në tërësi këtë vit janë gati 80 milionë euro të ndara për veteranët.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale kohë më parë pati ngritur aktakuzën e parë për rastin e njohur si “Veteranët”,  e ku ishin përfshirë hiç më pak se 20.238 emra që dyshohet se marrin kundërligjshëm pension të veteranit të luftës.

Mirëpo, në përmirësimin që Gjykata Themelore e Prishtinës kishte kërkuar nga Prokuroria, kjo e fundit në aktakuzën e re, mes tjerash i ka hequr nga lista 738 persona që dyshohet se kanë përfituar rrejshëm në emër të veteranëve.

Por, edhe pse Prokuroria Speciale kishte hequr nga lista 738 persona,  ajo ende nuk ka dorëzuar emrat në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për t’i larguar nga pagesa këta persona që dyshohet se po përfitojnë pa meritë si veteranë.

Ndryshe Prokuroria Speciale e Kosovës vitin e kaluar pati ngritur aktakuzë kundër 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së.

Në fakt aktakuzë është ngritur kundër: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjahes, Shkumbin Demaliajt, Qelë Gashit, Shukri Bujës, Ahmet Dakut, Rrustem Berishës, Faik Fazliu, Smajl Elezajt, Fadil Shurdhajt dhe Xhavit Jasharit. /FaktePlus/