Shqipëria nuk përjashtohet nga hakmarrja e Iranit për vdekjen e gjeneralit Qasem Soleimani, deklaroi të enjten në Tiranë gjenerali amerikan i NATO-s, Michael Barbero.
I pranishëm në një takim në Tiranë për sfidat e sigurisë, gjenerali Barbero bisedoi për samitin e NATO-s dhe situatën në Iran e Irak, ku tha se Shqipëria duhet të jetë vigjilente ndaj çdo sulmi të mundshëm terrorist, shkruan sot “Koha Ditore”.
Megjithatë, gjenerali Barbero garantoi se NATO-ja do të reagojë ndaj çdo sulmi që mund t’i bëhet ndonjë vendi anëtar. Gjenerali amerikan e mohoi faktin që muxhahedinët e strehuar në Shqipëri përbëjnë një kërcënim për këtë vend, por kjo mund të vijë nga Irani me ndonjë sulm terrorist apo kibernetik.
“Nuk mendoj se MEK përbën kërcënim, por Irani po. Muxhahedinët kanë luftuar për demokraci në vend, gjë që përbën një kërcënim për regjimin iranian. Qëllimi kryesor i udhëheqësve në Teheran është mbijetesa e regjimit dhe MEK janë kërcënim për të. Unë e admiroj atë që Shqipëria ka bërë për muxhahedinët duke i sjellë këtu dhe duke vazhduar t’u ofrojë mbrojtje”, tha ai. Gjenerali Barbero deklaroi se vigjilenca duhet të jetë në përpjekjet kundër terrorizmit dhe kundër sulmeve kibernetike.