Një i dyshuar për abuzim me detyrën zyrtare ka qenë pjesë e delegacionit që e ka përfaqësuar Kosovën në ngjarjen globale më të madhe për bujqësi, që organizohet gjatë një viti.
Dijana Zhiviq, ministre në detyrë e Bujqësisë, ka përzgjedhur sekretarin e përgjithshëm, Kapllan Halimi, që ta shoqërojë në Forumin global për ushqim dhe bujqësi, i cili është mbajtur në Berlin të Gjermanisë, shkruan sot Koha Ditore.
Që nga 31 dhjetori Halimi është duke e ushtruar jashtëligjshëm detyrën. Kjo, për shkakun se prej atëherë Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër tij, kundër ish-ministrit Nenad Rikalo, kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Ekrem Gjokaj, dhe kundër pesë zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Bujqësisë: Shefki Zeqirit, Shkëlzen Morinës, Leon Thaçit, Lindor Krasniqit dhe Albana Zeqirit. Që të gjithë dyshohet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e dënueshme me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet. Por asnjë nuk është suspenduar nga puna.
Prokuroria ishte vënë në lëvizje pas një hulumtimi të gazetës “Koha Ditore”, e cila kishte gjetur se në Ministri ishin ndërmarrë veprime të jashtëligjshme, nëpërmjet të të cilave ishin çuar së paku tre milionë euro të shtetit tek disa biznese të lidhura me politikën.
Prej pesë ditësh gazeta ka adresuar pyetje në Ministrinë e Bujqësisë, nëpërmjet të të cilave ka kërkuar arsyet që e kanë shtyrë ministrin Zhiviq që me vete të marrë sekretarin, kundër të cilit ka ngritur aktakuzë Prokuroria Speciale. Përgjigjet kanë munguar, ani se një ditë më parë Zoran Spasiq, shef i kabinetit të ministres, ka premtuar nëpërmjet një e-maili se informatat e kërkuara do të ofroheshin gjatë së enjtes.
Pa përgjigje ka lënë edhe pyetjen për arsyet e mungesës së ndërmarrjes së veprimeve konform ligjeve në fuqi, të cilat kërkojnë suspendimin e zyrtarëve nën akuzë.
Sekretari Halimi e ka konfirmuar për gazetën se vazhdon ta ushtrojë funksionin, dhe si arsye për këtë përcaktim ka përmendur dispozitat e një ligji, të cilat aktualisht janë të pazbatueshme.
“Po, jam duke dalë në punë. Ligji për zyrtarë publikë më garanton këtë. Shihne ligjin ku thotë se vetëm gjykatësi vendosë për pezullimin ose jo nga puna”, ka thënë ai. “Përkundër vullnetit tuaj, ligji është ai që na mbron në këtë pikë”.
Halimi është duke e përdorur si armë mbrojtëse një ligj, dispozitat e të cilit janë të paaplikueshme.