Projektligji i ri “Për Shtetësinë” i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 31 korrik, pritet së shpejti t’i dorëzohet Parlamentit të Shqipërisë. I njëjti parasheh fitimin e shtetësisë me origjinë, ku të gjithë shqiptarët të lindur në shtete të tjera, por që arrijnë të vërtetojnë origjinën e tyre, do të mund të marrin shtetësinë e Shqipërisë.
Derisa qytetarët e Republikës së Kosovës u përjashtuan nga marrja e shtetësisë shqiptare me një vendim të vitit 2013, sipas nenit 6 të projektligjit të ri “Për Shtetësinë”, krijohet mundësi që të gjithë shqiptarët, edhe të Kosovës, që arrijnë të vërtetojnë origjinën e tyre deri në tre shkallë, të mund të marrin pasaportën e Shqipërisë, pasi vendimi i 2013-s do të shfuqizohet me projektligjin e ri.
Projektligji parashikon dhe rregullon fitimin e shtetësisë me natyralizim, si rast të veçantë, në rastet kur Republika e Shqipërisë ka një interes ekonomik, shkencor, kulturor dhe sportiv, si dhe kombëtar, duke autorizuar rregullimin me akt nënligjor.