Gjithçka nisi kur KTV-ja publikoi historinë e Osman Ejupit, i cili brenda pak ditësh, të gjithë fëmijët e tij kishte arritur t’i punësonte në njërën nga ndërmarrjet publike të Kosovës, ku babai i tyre, Ejupi, ishte drejtor i Bordit të Telekomit.
Osman Ejupi u përzgjodh në Bord të Telekomit më 29 mars të 2018-s, në një bord që u cilësua politik.
Informacionet e ardhura nga brenda Telekomi vunë në dritë edhe për punësimet e njerëzve në pension apo rreth tij.
I tillë ishte punësimi vjehrrit 60-vjeçar të deputetit të PDK-së Mërgim Lushtaku, ani pse ishte afër pensionimit. Në fakt ai iu bashkua vajzës së tij në Telekom Shehide Qerimi Lushtaku e cila nga fundi i 2018-s mban pozitën e drejtoreshës së auditimit, raporton KTV.
Por, në Telekom gjetën punë edhe djali i deputetit Muharrem Nitaj, burri i Donika Kadaj- Bujupit, reja e Pal Lekajt, derisa se pa konkurs arriti të marrë pozitë menaxhuese edhe kunata e kryeministrit Ramush Haradinaj, Vesmira Haradinaj.
Derisa Vesmira Haradinaj që është bashkëshortja e Frashër Haradinajt, u avancua në pozitën drejtoreshë e Marketingut, Haradinaj rehatoi në një institucion tjetër financiar motrën e gruas së tij, Vjosa Muqaj Ademi.
Hulumtimet nxorën në pah një tjetër skandal të nepotizmit të ndodhur ndër vite.
KTV-ja raportoi me emra e mbiemra edhe për nepotizmin në institucionin më të lartë financiar në vend, në BQK, ku u zbulua se ky institucion ishte ndarë në mënyrë proporcionale mes secilës parti që kishte udhëhequr me shtetin.
Presidenti Thaçi u kishte bërë vend pune familjarëve të tij, si dhëndrit, nipave të gruas e kushërinjve të tij. Kësaj valleje të punësimeve i është bashkuar edhe Kadri Veseli e ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ambasadori i Kosovës në Maqedoni, deputet Fatmir Xhelili i PDK-së, Arben Gashi i LDK-së e kreu i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj e shumë politikanë të tjerë.
Ndikimi i raportimit të këtyre rasteve ka qenë i madh. Kuvendi i Kosovës themeloi një komision, i cili u mor për muaj të tërë me hetimin e nepotizmit dhe korrupsionit në Telekom. Por për shkak të shpërbërjes së Kuvendit puna e tyre mbeti në gjysmë.
Prokuroria ka konfirmuar se ka nisur hetimet dhe është duke bërë përgatitjen e hartimit të aktakuzës për rastin “Telekomi”, rreth nepotizmit dhe shkeljes së të drejtave të barabarta të qytetarëve në punësim.
Telekomi gjatë 2019-s, u përfshi nga zbulimi i skandaleve të shumta, kontratave të dyshimta që flisnin për miliona euro të derdhura ndër vite në llogaritë e familjarëve të politikanëve.
Po më 2019, përfundimisht Vala i ndau rrugët me operatorin virtual Z-Mobile.
Kjo bëri që për herë të dytë të shkojë në Arbitrazh, pasi Z-Mobile e paditi sërish për shkëputje të njëanshme të kontratës.