KPMM-ja në Malishevë është zotuar se nuk do të lëshojë leje për gurthyesit pa pëlqimin e organeve komunale

Drejtuesit e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) të enjten kanë takuar përfaqësuesit e pushtetit lokal në Malishevë, me ç’rast është diskutuar rreth vendimit të Kuvendit të kësaj komune për pezullimin e përkohshëm të lejeve dhe pëlqimeve për të gjithë gurëthyesit që veprojnë këtë anë.

Sipas njoftimit të Zyrës për Informim të Komunës së Malishevës, në këtë takim zyrtarët e KPMM-së janë zotuar se nuk do të lëshojnë leje operimi pa pëlqimin e organeve komunale, shkruan sot “Koha Ditore”.

Reklama e sponzorizuar

Njëherësh kanë bërë të ditur se ky Komision nuk mund të bëjë tërheqje retroaktive të lejeve të lëshuara për këtë veprimtari. Në anën tjetër, përfaqësuesit e KK-së së Malishevës kanë arsyetuar vendimin e këtij organi për pezullimin e përkohshëm të gurëthyesve.

Në komunikatën e Komunës së Malishevës theksohet se në këtë takim KPMM-ja është përfaqësuar nga kryesuesi i Bordit, Musa Shabani, drejtori ekzekutiv Ramiz Krasniqi dhe zyrtarja ligjore, Selvete Greiçevci, derisa nga pushteti lokal kanë marrë pjesë kryetari i Komunës, Ragip Begaj, kryesuesi i KK-së, Rrahim Morina, dhe përfaqësuesit e subjekteve politike në KK, Alban Mazreku (PDK), Alban Krasniqi (LVV) dhe Kastriot Berisha (AAK).