Më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë emigruar në dekadën e fundit, thuhet në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Kjo shifër, sipas demografëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, konsiderohet mjaft shqetësuese.
Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë emigruar nga Kosova gjatë periudhës 2010-2018, u shënua në vitin 2015, kur nga Kosova u larguan mbi 75 mijë qytetarë. Më pas në vitin 2016 dhe 2017, emigrimi kishte shënuar rënie, ndërsa në vitin 2018, ka pasur përsëri rritje të emigrimit, përkatësisht mbi 28 mijë persona vendosën të ikin nga vendi. Agjencia e Statistikave të Kosovës, nuk i ka të publikuara ende shifrat për vitin 2019.
Në të dhënat zyrtare të emigrimit janë të përfshira emigrimi në mënyrë të rregullt dhe ai i parregullt.
Vendet ku qytetarët e Kosovës kanë emigruara më së shumti gjatë viteve 2010 – 2018 janë Gjermania, Franca, Austria, Kroacia e shtete të tjera.
Për periudhën 2016-2018 vlerësohet se Kosova ka humbur rreth 2 për qind të popullsisë së vendit.
Demografi Rifat Blaku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e quan shqetësues numrin e qytetarëve të cilët po e lëshojnë Kosovën. Më shqetësuese, thotë ai, është se vendin po e braktisin pjesa më vitale e popullsisë, pra të rinjtë, që sipas tij, janë më produktivë dhe të shkolluar.
“Është një humbje e madhe dhe një çrregullim i madh në strukturën demografike, biologjike dhe për këtë është koha jo vetëm aktuale për shqyrtim e diskutim, por edhe për krijimin e një aksioni efikas e praktik, politik e institucional, për ta krijuar një politikë të migracionit, e cila do të nisej nga trajtimi që migrimi është i kontrolluar, i menaxhuar, të jetë i përkohshëm që t’i valorizojë aspektet pozitive, meqë posedojnë një kapital të madh dhe të minimizojë efektet negative të migracionit”, thotë Blaku.
Gjermania, Sllovenia dhe Kroacia, sipas një raporti të fundit mbi migrimin të Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë shtetet që rezultojnë me një rritje të dukshme të pranimit të qytetarëve kosovarë për qëllime punësimi gjatë vitit 2018.
Ndërkohë më 1 mars 2020, pritet të hyjë në fuqi Ligji gjerman për fuqinë punëtore, i cili rregullon me detaje ardhjen e fuqisë punëtore nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë se mund të ketë një fluks edhe më të madh të të rinjve nga Kosova dhe vendet më pak të zhvilluara, që do të lëshojnë vendin.
“Ky ligj lehtëson lëvizjen e njerëzve, lëvizjen e punëtorëve për në Gjermani, ka potencial për një fluks të madh, do të presim dhe do ta shohim ndikimin që do ta ketë ky ligj”, thotë Shasha.
Numri në rritje i të rinjve për të lëshuar Kosovën, thotë Demush Shasha nga EPIK, ka ardhur si pasojë e zhvillimeve jo të mira ekonomike, politike dhe sociale që po e përcjellin Kosovën.
Në një anketë të Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), të quajtur “Pulsi publik”, e cila ishte publikuar në vitin 2019, pati vënë në pah se më shumë se gjysma e të gjithë të anketuarve në Kosovë kanë deklaruan se çështjet më të mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova janë të lidhura me korrupsionin dhe kushtet socio-ekonomike.
Rreth 50 për qind e të anketuarve janë deklaruar ose të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës.
Po ashtu, sipas kësaj ankete të UNDP-së, thuhet se afërsisht gjysma e popullsisë nuk i sheh proceset demokratike në Kosovë nën dritën pozitive dhe as për ekonominë nuk ka pikëpamje pozitive.
Në tre vjetët e fundit edhe bizneset në Kosovë kishin theksuar se edhe përkundër nivelit të lartë të papunësisë në Kosovë, kanë pasur mungesë të punëtorëve.
Ata kishin thënë se kanë pasur probleme në gjetjen e punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë, në hotelieri dhe në disa sektorë ku punohen punë sezonale.