Miliona për rrogat e Qeverisë nga dorëheqja – ja kush e sa i mori

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj në muajin korrik të vitit 2019 ka dhënë dorëheqje të parevokueshme pas ftesës që mori nga Dhomat e Specializuara që njihet si Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Pas dorëheqjes vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme që u mbajtën më 6 tetor 2019, ndërsa tash e katër muaj partitë fituese LVV e LDK ende nuk kanë arritur të formojnë qeverinë e re, duke bërë që të jetë në punë ende ajo e drejtuar nga Haradinaj.

Kështu prej 7 muajsh Kosova është me Qeveri në detyrë, e cila ka edhe  kompetenca të kufizuara veprimi e rrjedhimisht edhe intensitet shumë të vogël të punëve.

Reklama e sponzorizuar

Por, ajo që nuk ka ndryshuar as pas dorëheqjes për Haradinajn e gjithë vartësit e tij, si zëvendëskryeministrat, ministrat e zëvendësministrat, është çështja e pagave mujore.

Që nga muaji korrik, duke futur këtu edhe pagat e janarit (bëhen 7 muaj) që pritet t’i marrin tash, llogaritjet tregojnë se janë miliona euro të shtetit që janë dhënë për gjithë këta njerëz që tashmë janë në dorëheqje e nuk kryejnë ndonjë punë.

Vetë kryeministri në largim Ramush Haradinaj që ia kishte ngritur pagën vetës së tij në 2,950 euro, vetëm për këta 7 muaj sa është në dorëheqje mori 20 mijë e 650 euro.

E Qeveria aktuale i ka edhe 5 zëvendëskryeministra, paga e të cilëve është 2,500 euro. Kështu këta pesë persona vetëm për shtatë muaj i morën paga nga shteti gati 90 mijë euro.

Edhe 21 ministrat në detyrë të Qeverisë morën para të majme ne emër të pagave. Ministrat kanë pagë mujore prej 2000 euro dhe për shtatë muaj ata gjithsej morën 294 mijë euro.

Hiq më keq nuk qëndroi as armata e zëvendësministrave. Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj është e njohur për numrin e madh të tyre, pasi numëron rreth 80 zëvendësministra. Vetëm paga e këtyre zyrtarëve të shtetit është 1 mijë e 150 dhe një llogaritjet tregojnë se ata të gjithë bashkë morën për paga 640 mijë euro.

E para të majme në emër të rrogave morën edhe një armatë e tërë e punonjësve të tjerë të Qeverisë, si koordinatorët nacional, pastaj shefi i stafit të kryeministrit, shefi i kabinetit e këshilltarët e shumtë të tyre.

Për shtatë muaj prej se Qeveria ka dhënë dorëheqje vetëm shefi i kabinetit të kryeministrit mori mbi 11 mijë euro, pasi paga e tij mujore është 1670

Kurse këshilltarët e shumtë të kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave morën mijëra euro paga gjatë këtyre shtatë muajve.

Vetëm një këshilltar i kryeministrit ka pagë mujore prej 1340 euro dhe nëse llogaritet numri i tyre prej rreth 20, atëherë del se shteti për shtatë muaj dha gati 190 mijë euro për ta.

Këtu nuk po përshijmë edhe numrin e madh të punonjësve tjerë që janë të angazhuar si staf mbështetës i zyrtarëve të Qeverisë.

Haradinaj rriti pagat për veten e kolegët në fillim të mandatit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ia pati dyfishuar pagën vetes pak pasi mori detyrën, respektivisht në dhjetor të vitit 2017.

Nga 1 mijë e 443 euro sa e kishte, rroga e kryeministrit është bërë 2 mijë e 950 euro.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rritje të pagave edhe të zëvendëskryeministrave, ministrave dhe të gjithë kabinetit të tij.

Rroga për një ministër ka arritur në 2 mijë euro nga 1 mijë e 270 sa ishte më parë.

Shterja e rezervave të shtetit

Qeveria që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj njihet edhe për ndarjen e miliona eurove për kategori të ndryshme, para këto që një një pjesë të madhe i mori nga Fondi Rezervë i shtetit, të cilin thuajse e ka shterur plotësisht.

Njëri prej vendimeve të tilla ishte edhe ky i fundit, kur Haradinaj mori 358 mijë euro nga Fondi Rezervë për Zyrën e tij në emër të komuniteteve.

Ndërkaq, në një nga mbledhjet e qeverisë, 390 mijë euro iu ndanë shoqatave të dala nga lufta, kryesisht për t’i çuar veteranët në banjë për rehabilitim.

Kurse, 70 mijë euro, po nga Fondi Rezervë, i janë ndarë Zyrës së Koordinatorit Nacional për Rini e Kulturë, ndonëse kërkesa ishte bërë për 146 mijë euro.

Të gjitha këto mjete janë ridestinuar në kategorinë “mallra dhe shërbime”, ani pse Rexhep Hoti që udhëheq me postin e shpikur në këtë Qeveri, kishte thënë se ato janë përdorur për t’i shpërblyer nxënësit në garat e diturisë./FaktePlus/