Kosova ka nisur vitin 2020 pa buxhet të miratuar shkaku i vonesave për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i cili është institucioni kyç për kalimin e buxhetit. Megjithatë edhe pas konstituimit të tij më 26 dhjetor të vitit të kaluar deputetët ende nuk janë mbledhur për t’ia dhënë dritën jeshile miratimit të tij. Nga njohësit e rrethanave vlerësohet se mosmiratimi i tij deri në prill çon vendin në kaos.
Vitin 2020 Kosova e ka nisur pa buxhet të miratuar. Ndonëse për tre muajt e parë të këtij viti nuk pritet që të ketë problem, në rast të mosmiratimit të buxhetit deri në muajin prill rrethanat mund të ndryshojnë. Nëse kuvendarët nuk e kalojnë buxhetin për këtë vit, nga muaji prill ndalen të gjitha pagesat për paga, për pensione e për shërbime të tjera. Kjo gjë sipas njohësve të çështjeve ekonomike sjell kaos, krizë financiare e buxhetore në vend, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Në anën tjetër zyrtarë nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë “Zërit” se ka buxhet të mjaftueshëm për t’i mbuluar tre muajt e parë të këtij viti. Deri më tani është e miratuar vetëm korniza afatmesme e shpenzimeve 2020 – 2030, e cila paraqet dokumentin kryesor, mbi bazën e të cilit do të duhej të hartohej buxheti vjetor për vitin 2020. Sipas kësaj kornize, buxheti i Kosovës parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro.
Të drejtën për zgjatjen e Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit paraprak fiskal e ka Kuvendi i Kosovës. Sipas Muharrem Shahinit, zyrtar për komunikim me publikun në Ministrinë e Financave, kjo gjë bëhet në rast të mosaprovimit të buxhetit.
“Në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe për Përgjegjësitë, në rast të mosaprovimit të Ligjit të Buxhetit vetëm Kuvendi i Kosovës me anë të një vendimi mund të autorizojë zgjatjen e Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal dhe jo më shumë se 3 muaj”, ka thënë Shahini për “Zërin”.
Mirëpo, sipas tij, kjo gjë ndryshon në rast se zgjedhjet mbahen në periudhën kohore në më pak se katër muaj para fillimit të vitit përkatës.
“Nëse zgjedhjet e përgjithshme parlamentare janë mbajtur në periudhën kohore më pak se katër muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal, ndarjet buxhetore të vitit të mëparshëm fiskal zgjaten për t’i mbuluar vetëm dy muajt e parë të vitit pasues fiskal, që janë të barabartë me 16,67% të ndarjeve buxhetore të siguruara për organizatat buxhetore nga Ligji i Ndarjeve Buxhetore”, ka thënë tutje ai.
Mosmiratimi i buxhetit për vitin përkatës në afatin e përcaktuar nga Kuvendi i bllokon organizatat buxhetore dhe autoritetet tjera publike për të kryer pagesa. Sipas Shahinit, pagesat mund të kryhen vetëm për larjen e borxhit publik.
“Nëse zgjatja e përcaktuar për dy muajt e parë ose sipas një vendimi të Kuvendit për tre muaj ka skaduar dhe Ligji i Ri për Ndarjet Buxhetore nuk është miratuar, atëherë asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i Ri për Ndarjet Buxhetore, përveç pagesave për larjen e borxhit publik kur ato pagesa maturohen”, ka thënë tutje ai.