Rreth 37 mijë persona marrin pension si veteranë, e disa prej tyre janë raste sociale.
Këta persona të cilët luftuan për çlirim e liri, rrezikojnë të mbesin pa të ardhurat e vetme nëse nuk miratohet ligji i buxhetit para 31 marsit.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duket se 170 euro të pensionit do t’i marrin vetëm edhe në muajin shkurt pasi që ende nuk ka Qeveri të re.
Nasim Haradinaj, nga OVL-UÇK, për IndeksOnline ka thënë se veteranët e luftës janë përgjegjësi e institucioneve.
Haradinaj ka theksuar se në Kosovë ka të tillë që mbijetojnë vetëm me atë pension dhe me mos miratimin e ligjit të ri për buxhetin ata do të ndihen të fyer.
“Ne kemi edhe raste sociale, nuk dua t’i ndaj por sidomos ndaj këtyre Qeveria ka obligim që të miratoj ligjin për ta.
Ata jetojnë vetëm me një pension të vogël, social e tani do të ndihen edhe më të fyer e që fatkeqësisht që këtë përgjegjësi e ka politika”, ka thënë ai.
Haradinaj duke u shprehur i mllefosur me situatën politike pati një mesazh për qytetarët.
“Këtë përgjegjësi duhet ta marrë faktori politik, besoj se edhe ne votuesit do të mbushen mend njëherë e përgjithmonë se si të kërkojnë detyra ndaj atyre që i votojnë
Vota jonë është obligim dhe i detyron ata që të na shërbejnë neve, e jo të i ndjekin ata llukset e tyre”, shtoi ai.
Ministria e Financave ka paralajmëruar se në rast të mosmiratimit të ligjit të ri për buxhetin nga qeveria e re dhe kuvendi, të gjitha pagesat duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri te shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike si dhe të gjitha obligimet tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurt, përkatësisht 31 mars.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Ministria ka njoftuar se pas datës 31 mars, asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore.
“…të gjitha pagesat duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri te shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike si dhe të gjitha obligimet tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurt, përkatësisht 31 mars (nëse ka vendim nga Kuvendi) dhe nga Thesari i Kosovës do të lejohen vetëm pagesat për borxhin publik mund të realizohen sipas afatit të pagesës, në pajtim me LMFPP, neni 24, paragrafi 3”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.
Ndërkaq, deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati përmes një postimi në Facebook pati thënë se Kosova nuk do të ketë krizë buxhetore.
“Kosova nuk do të ketë krizë buxhetore. Kuvendi tashmë është konstituuar dhe krejt çka duhet është formimi i komisioneve parlamentare që të sigurohet funksionimi i plotë i institucionit”, ka shkruar deputeti i VV-së.