Mospunësimi i të diplomuarve nga YCS-ja rrezikon vazhdimin e mbështetjes nga BE-ja

Një e treta e studentëve të gjeneratës së fundit, që kanë përfituar studime falas në kuadër të projektit për bursa Skema e Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme – YCS), janë ende të papunësuar.

Mospunësimi i tyre është duke rrezikuar vazhdimin e mbështetjes së BE-së për këtë program për gjeneratat e ardhshme. Ndonëse me marrëveshjen që kanë Zyra e BE-në dhe Qeveria e Kosovës, parashihet që ata të punësohen në institucionet publike, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende për të gjithë të diplomuarit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë për gazetën se mospunësimi i të gjithë të diplomuarve mund të çojë në rialokim të fondeve të parapara për këtë bursë për gjeneratat e ardhshme.

Reklama e sponzorizuar

Ata që nuk janë punësuar kanë thënë se janë në një situatë të paqartë lidhur me obligimin kontraktual që kanë si përfitues të bursës, ndërkohë që me anë të një komunikate për media Instituti Epik, në cilësinë e monitoruesit të zbatimit të marrëveshjes, ka ftuar institucionet që të bëjnë punësimin sa më të shpejtë të tyre, siç kanë thënë, për mosrrezikim të financimit të kësaj burse për gjeneratat e ardhshme.