Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, e ka quajtur informues takimin që kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, patën me ambasadorët e shteteve të QUINT-it. Sipas tij, nuk ka pasur dështim për arritjen e marrëveshjes.
“Sot ishte një takim më tepër informues për shtetet e QUINT-it, apo ambasadorët, me të cilët u shfrytëzua mundësia e informimit në grup për rrjedhjen e diskutimeve që kemi pasur për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion. S’ka pas dështim. Ishte takim informativ dhe besoj se do të ketë takime të tjera ditëve në vijim. Ka qenë qëllimi që të mos lihet as hapësira për keqkuptime e as dykuptimësi”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
Murati ka thënë se Vetëvendosje vazhdimisht ka bërë përpjekje me propozime të reja që të afrojë qëndrimet me LDK-në, por ka shtuar se “pa lëvizur dy palët drejt qendrës është e vështirë të arrihet marrëveshja”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se kjo parti i ka bërë shtatë propozime LDK-së për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Sipas tij, LDK-ja ka bërë vetëm një dhe ajo ka qenë që Glauk Konjufca i VV-së të hiqet nga posti i kryeparlamentarit e LDK-ja ta udhëheqë Kuvendin deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
“Nuk e di sa serioze mund të quhet një kërkesë e tillë kur thuhet se personi që e kemi votuar të japë dorëheqje e të shkarkohet, ta marrim për një vit e pastaj ua kthejmë. Po të ishte puna që njëmend puna të ishte për një post të rëndësishëm shtetëror, do të duhej të pranohej kryekuvendari që më 23 dhjetor kur u kemi bërë propozim. S’bëhet fjalë për kërkesë legjitime që të thuhet se po e kërkojnë një post vetëm sa për të mbetur pa post të rëndësishëm. S’mund të kthehemi prapa sepse shkelet vullneti i deputetëve. Edhe po të merreshim vesh ka shkelje të vullnetit të deputetëve të tjerë”, ka thënë ai.
Murati ka zbuluar se VV-ja i ka ofruar LDK-së 7 ministri në Qeverinë Kurti, por nuk ka treguar nëse aty është paraparë raporti 7 me 3 apo ka qenë format tjetër. Sipas tij, edhe kjo ofertë është refuzuar nga LDK-ja me kërkesën e vetme për kryeparlamentarin.
“Ne kemi ofruar shtatë propozime. Pres që shumica në LDK të reflektojë e të kemi marrëveshjen. Ne kemi lëvizur shtatë herë, kemi bërë shtatë propozime. Propozimi i vetëm i LDK-së deri më tani nga 26 dhjetori e tutje ka qenë propozimi që këqyr me e zhbë rezultatin e 26 dhjetorit, votimin e Glauk Konjufcës. VV-ja ka bërë vazhdimisht propozime që të arrihet konsensusi. S’mundet vetëm njëra palë të bëjë shtatë propozime e pikërisht asaj t’i thuhet lësho pe akoma. S’mund të hyjë edhe VV-ja në qeveri duke hequr dorë ose duke i shkelur edhe institucionet e vullnetin që u shfaq më 26 dhjetor. Kemi qenë të gatshëm të lëshojmë pe duke mos ndërhy në votimin që ka qenë, u kemi ofruar 6 ministri e madje edhe 7. Ideja ishte vetëm të mos ngecim. Kemi një palë në anën tjetër që të vetmen kërkesë e ka te një post që tashmë është zgjedhur. Marrëveshja duhet të lëvizë përtej asaj. Ata të lëvizin sepse votimi i Konjufcës është i pakthyeshëm”, ka thënë tutje Murati.
Murati, megjithatë, është shprehur optimist për arritjen e marrëveshjes para 4 shkurtit.
“Mendoj se do të ketë marrëveshje. Shpresoj të kemi mirëkuptim edhe prej palës tjetër që të vijnë në tavolinën e negocimit e të bëjnë një hap tutje drejt marrëveshjes. Deri tash ishte një gjysmëhapi me sherr që të zhbëhet diçka që tashmë ishte bërë. Duhet të sqarojmë se si secila palë të ndihet e kënaqur e të materializojmë vullnetin për ndryshim”, ka përfunduar ai.