Deputetët e Kuvendit të Kosovës, mund të gjejnë mënyra për ta miratuar buxhetin për vitin 2020, i cili ka mbetur pezull për shkak të mosformimit të qeverisë së re.
Miratimi i buxhetit, po shihet si diçka urgjente, për shkak të rrezikut që vendi të zhytet në krizë buxhetori nga 1 prilli i vitit 2020. Hapi i parë që Kuvendi duhet të bëjë, sipas shoqërisë civile, është që të formojë komisionet parlamentare në mënyrë që shqyrtohet korniza aktuale buxhetore.
Qeveria në detyrë, e ka përgatitur propozim-buxhetin për vitin 2020 dhe është e gatshme që në momentin kur kërkohet, ta procedojë atë në Kuvendin e Kosovës.
Përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se Kuvendi i Kosovës, i cili është konstituuar në fund të muajit dhjetor 2019, ka kompetencë të ushtrojë funksionin e tij legjislativ, që sipas tyre, nënkupton se mund ta miratojë edhe buxhetin e Kosovës.
Drejtoresha e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbresha Loxha, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kuvendit i mbetet të formojë Komisionet Parlamentare në mënyrë që projektligjin për buxhet të mund ta propozojë ose Qeveria në largim ose Kuvendi përmes iniciativës legjislative, përkatësisht Komisioni për Buxhet dhe Financa.
“Me dorëheqjen e Qeverisë, çdo iniciativë ligjore kthehet në pikën zero. Meqenëse deri më tani nuk kemi ende një marrëveshje të arritur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për një koalicion qeverisës, Kuvendit i takon përmes iniciativës legjislative ta propozojë, rrjedhimisht edhe ta miratojë buxhetin e Kosovës”, thotë Loxha.
Ministria e Financave tashmë ka deklaruar se më 31 tetor, 2019 e ka dorëzuar në Qeveri propozim-buxhetin për vitin 2020. Por, qeveria ka qenë në detyrë dhe nuk ka mundur të procedojë me miratimin e tij si projektligj, i cili do t’i dorëzohej më pas Kuvendit.
Qeveria aktuale apo në detyrë, është e zgjedhur nga përbërja e kaluar e Kuvendit që tashmë është shpërndarë dhe është formuar Kuvendi i ri.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në detyrë të Financave, Bedri Hamza, konsideron se qeveria në dorëheqje mund të procedojë në Kuvend, Projektligjin për buxhet. Ai thotë se Gjykata Kushtetuese nuk e ka kufizuar asnjë kompetencë të qeverisë. Në të kundërtën, procedimi i projektligjit mund të iniciohet ose nga Komisionet, Grupet Parlamentare ose edhe deputetët, thotë ai.
“Qeverisë, tashmë, në detyrë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk i është kontestuar statusi. Dhe, nuk kemi asnjë ligj ose rregullore që njeh definicionin qeveri në dorëheqje apo qeveri në detyrë. Krejt kjo po vjen si pasojë e mungesës së Ligjit të Qeverisë. Qeveria, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është duke marrë vendime dhe nuk po i kontestohet asnjëherë vendimmarrja”, thekson Rafuna.
Më 19 korrik Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës. Dorëheqja e tij pasoi ftesën që kishte marrë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku ishte ftuar për një intervistë në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Më pas, Haradinaj i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që t’ia definonte përgjegjësitë gjatë kohës sa ai dhe qeveria në largim do të funksiononin në dorëheqje.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka cilësuar të papranueshme për interpretim, kërkesën e Haradinajt lidhur me definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit.
Duke besuar se edhe me qeverinë në dorëheqje, Kuvendi mund ta miratojë buxhetin, Rafuna thotë se me krijimin e qeverisë së re, ajo në çdo kohë mund ta rishikojë dhe përmirësojë buxhetin.
“Qeveria e ardhshme, nga kushdo që krijohet, ka mundësi që në çdo kohë mund të rishikojë dhe rregullojë buxhetin e Kosovës”, thekson ai.
Disa sindikata në Kosovë kanë kërkuar nga kryeministri në detyrë që të dërgojë në Kuvend projektligjin për buxhet për vitin 2020, me qëllim, siç është thënë, shmangies së trazirave sociale.
Këto shqetësime, përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Federatës Sindikale të Shëndetësisë dhe Sindikatës së Policisë së Kosovë, i kanë shprehur pasi që janë takuar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke kërkuar që ai të angazhohet për ndërmarrjen e hapave ligjorë për aprovimin e buxhetit.
Në një komunikatë të Kuvendit të Kosovës, thuhet se kryetari Glauk Konjufca, ka theksuar se po punon për ndërtimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke i hapur kështu rrugë edhe miratimit të Ligjit për buxhetin.
Ai ka theksuar angazhimin e tij maksimal për të ardhur deri te një zgjidhje, e cila do të evitonte rrezikun e mbetjes pa paga të punonjësve të sektorit publik.
Aktualisht, me autorizimet ligjore, Ministria e Financave ka bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e mjeteve për organizatat buxhetore për 2 muajt e parë të vitit 2020. Kurse për muajin mars, besohet se vetëm Kuvendi mund të vendosë për vazhdimin e këtij vendimi apo zgjatjen e ndarjeve buxhetore.
Kjo është koha përfundimtare e lejuar për shpenzim buxheti dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020.
Pas kësaj date, Kosova futet në krizë buxhetore, pasi asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për ndarjet buxhetore.