Disa departamente të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) do të mbeteshin bosh, nëse zyrtarë të lartë të këtij dikasteri qeveritar do të organizonin ndonjë gazmend familjarë. Kjo për shkak se shumë zyrtarë të kësaj Ministri kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin, raporton portali “Front Online”.
Burime të portalit “Front Online” kanë bërë të ditur lidhjet familjare të zyrtarëve të kësaj Ministrie.
Sipas tyre, Fitore Avdullahu është e punësuar në Njësinë për Zbatimin e Projektit në MI, e cila është motra e Zymer Avdullahut.
Ky i fundit është zyrtar i lartë ekzekutiv në Ministrinë e Infrastrukturës.
Dhëndër i këtij të fundit (Zymer Avdullahut) është edhe Valon Vishaj, inspektor i Infrastrukturës në MI, bëjnë të ditur burimet e “Front Online”.
Zyrtari i lartë ekzekutiv, Zymer Avdullahu, sipas të njejtave të burime, në MI ka edhe një familjar tjetër, përkatësisht nipin Ardian Avdullahun, i cili është zyrtar i lartë për patentshoferë.
Lidhjet familjare në Ministrinë e Infrastrukturës nuk përfundojnë vetëm me zyrtarin e lartë ekzekutiv, Zymer Avdullahun.
Udhëheqësi i Financave dhe Buxhetit në këtë Ministri, Besnik Hajdari, e ka të punësuar motrën e tij në Njësinë Implementuese, Besarta Hajdarin.
Ndërsa Begzad Musliu, i cili është drejtor i Njësisë së Auditimit në MI është kujdesur që në projektin e Autoudhës, Prishtinë-Gjilan, ta angazhoj djalin e tij, Bilbil Musliun, bëjnë të ditur burimet e “Front Online”. Madje thuhet se ky i fundit merr pagë të majme nga ky projekt.
Portali “Front Online” pesë ditë më parë i ka dërguar pyetje Ministrisë së Infrastrukturës për të marrë konfirmimin në lidhje me punësimet familjare në këtë institucion, mirëpo të njëjtit si zakonisht nuk janë përgjigjur.