Rreth 250 milionë euro duhan, kosovarët i tymosin në vit. E, me të filluar temperaturat e ulëta duhanpirësit po e shkelin me të madhe Ligjin për Kontrollin e Duhanit.
Ky ligj nuk po gjen zbatueshmëri edhe nga vetë krerët e institucioneve. Një gjë e tillë theksohet në “Raportin për Kosovën”, ku thuhet se mungon vullneti politik dhe se ka performancë të dobët të autoriteteve zbatuese.
Drejtori i Inspektoriatit Sanitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Ibrahim Tërshnjaku për KosovaPress, thotë se ditëve të fundit ka pasur rënie të zbatueshmërisë së këtij ligji. Megjithatë, sipas tij inspektimet po vazhdojnë dhe ata që nuk e respektojnë Ligjin për Kontrollin e Duhanit, do të gjobiten.
“Ditëve të fundit kemi një rënie apo shkelje të ligjit, sidomos nëpër kafe-bare. Ndërsa në restorante kemi rezultate më të mira dhe pozitive, në institucione që ne e zbatojmë ligjin kemi rezultate të mira. Është e vërtetë që duhanpirja është një ndër problemet më të mëdha të një vendi, siç jemi në Kosovë. Mirëpo së fundmi po shohim që ne nuk kemi zhvillime pozitive në kuptimin e edukimit të fushatave agresive, në kuptimin pozitiv për t’i adresuar brezat dhe kategoritë specifike, të cilët po konsumojnë duhanin”, shprehet Tërshnjaku.
Vetëm në fillim të vitit, Tërshnjaku thotë se janë shqiptuar 30 gjoba nga ana e nivelit qendror.
“Po në këtë vit në fillim kemi shqiptuar diku 30 gjoba nga ana e nivelit qendror, dhe për nivelin komunal kemi mos zbatueshmëri në disa komuna. Duke pasur parasysh që nuk ka edhe inspektorë komunal, sidomos në Komunën e Prishtinës, në kryeqendër kemi probleme rreth organizimit të inspektoriatit të cilët janë vendosur si inspektorë të rendit komunal. E të cilët nuk e respektojnë ligjin për Inspektoriatin Sanitar dhe Ligjin për Kontrollin e Duhanit. Për momentin tani kemi filluar aksionin në këto ditë dhe presim që në fund të muajit të kalkulohen të gjitha ato, nga niveli qendror janë 30 gjoba”, thotë ai.
Mes tjerash, drejtori i Inspektoriatit Sanitar të Kosovës, thotë se ky ligj po shihet me injorancë nga vetë krerët e institucioneve. Sipas Tërshnjakut, shkeljet më të mëdha të këtij ligji po bëhen gjatë sezonit dimëror.
Se ky ligj nuk po gjen zbatueshmëri po theksohet edhe në “Raportin për Kosovën” nga Komisioni Evropian.
“Ligji gjithëpërfshirës për kontrollin e duhanit ende nuk zbatohet për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe performancës së dobët të autoriteteve zbatuese”, thuhet në raportin e vitit 2019.
E zyrtari për media në Doganën e Kosovës, Adriatik Stavileci tregon për KosovaPress, se sa tonë duhan importohen gjatë vitit.
“Zakonisht importi i duhanit në Kosovë arrin vlera nga 2500 deri në 2800 tonë brenda një viti. Dhe kjo vlerë është jo vetëm gjatë këtij viti, por në vazhdimësi brenda 10 viteve të fundit. Që realisht edhe kompanitë e mëdha të duhanit e përcaktojnë që niveli i tregut të duhanit në Kosovë nuk duhet të tejkalojë rreth 3 mijë tonë brenda vitit. Fatkeqësisht Kosova tymos 200 deri në 250 milionë euro”, deklaron Stavileci.
Milazim Sfishta, i cila ka ardhur nga Gjermania për pushime në Kosovë, thotë se pothuajse në të gjitha lokalet në kryeqytet po shkelet ligji për duhanin.
“Unë kam ardhur në vizitë këtu. Absolut, kërkoj me gjet vend ku nuk pihet cigarja. Unë mendoj se fare nuk respektohet Ligji për Duhanin”, deklaron Sfishta.
Ngjashëm mendon edhe Hamdi Gashi, i cili jeton në Prishtinë. Sipas tij, fajtor për këtë janë vetë institucionet.
Për këtë Basri Hoxha, po ashtu banor i Prishtinës po kërkon që të zbatohet ky ligj.
“Adresa për akuza janë institucionet. Mos funksionimi i institucioneve është pasojë e çdo skandali të shoqërisë. Përmes sundimit të ligjit, çdo proces në një shoqëri funksionon vetëm në mënyrën më të mirë dhe më efikase”, thotë ai.
Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi dy mijë njerëz vdesin çdo vit në Kosovë nga duhani. Ligji për Kontrollin e Duhanit është miratuar në vitin 2013. Me këtë ligj përcaktohen masat për ndalimin, kufizimin e përdorimit të duhanit dhe produkteve të duhanit. Ndalohet pirja e duhanit 100 për qind në hapësira publike, hapësira të punës, në mjetet e transportit publik dhe në disa hapësira të hapura, të përcaktuara sipas këtij ligji.
Rreth 250 milionë euro duhan, kosovarët i tymosin në vit. Importi i duhanit në Kosovë arrin vlera nga 2500 deri në 2800 tonë brenda një viti./ksp/