Partitë politike që u gjobitën nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kanë afat deri më 31 janar që ta paguajnë borxhin, ndryshe ata do të përballen me përmbarues privat.
Deri më tani partitë politike kanë paguar 84 mijë e 900 euro ndërsa borxhi i mbetur sillet rreth 275 mijë 100 euro.
Në një intervistë për Front Online , kryesuesi i Sekretariatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku, ka treguar se cilat parti politike i kanë paguar gjobat e shqiptuara dhe cilat nuk janë përgjigjur në këtë thirrje.
Partitë që kanë filluar ta paguaj borxhin, sipas tij, janë Partia Demokratike e Kosovës e cila i ka paguar 45 mijë euro dhe Lista Serbe që ka paguar 36 mijë euro.
Ai ka thënë se deri me tani gjobat nuk ka filluar t’i paguaj LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje, koalicioni AAK-PSD, Nisma-AKR-PD dhe disa parti tjera.
“Borxhet nga gjobat e shqiptuar nga PZAP-i ndaj subjekteve politike në zgjedhjet e 6 tetorit nuk kanë filluar t’i paguaj LDK-ja, koalicioni AAK-PSD, Nisma-AKR-PD, koalicioni SLLOBODA, Lëvizja Vetëvendosje dhe disa subjekte tjera. PDK-ja ka filluar t’i paguaj gjysmën e gjobave, i ka paguar 45 mijë euro dhe i ka edhe 55 mijë euro pasi që ka qenë e gjobitur me 100 mijë e 100 euro. Lista Serbe i ka paguar 36 mijë e 500 euro, IRDK-ja i ka paguar 1 mijë e 200 euro, partia Liberale Egjiptiane i ka paguar 1 mijë e 100 euro, partia e Goranëve i ka paguar 1 mijë e 100 euro, kështu që gjithsej gjoba të paguara nga këto subjekte janë 84 mijë e 900 euro, kanë mbetur të pa paguara nga subjektet edhe 275 mijë e 100 euro”.
Sipas Deskut, shuma e gjobave ndaj partive politike ka qenë rreth 360 mijë euro.
“Gjithsej në zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë të gjobitura 13 subjekte politike apo koalicione, shuma e përgjithshme e shqiptuar nga PZAP ndajë të gjitha këtyre subjekteve ka qenë rreth 360 mijë euro”, ka thënë ai për Front Online.
Tutje ai tha se në rast se partitë politike nuk do ta respektojnë afatin të cilin e kanë caktuar, PZAP-ja do të fillojnë procedurat tjera për arkëtimin e gjobave dhe sipas dispozitës ligjore PZAP do t’i drejtohet përmbarues privat.
“Ne iu rikujtojmë subjekteve politike që kanë për t’i paguar gjobat, partitë janë njoftuar me vendimet për gjoba edhe gjatë procesit zgjedhor, ne i kemi paralajmëruar dhe iu kemi dhënë një afat nga 17 janar deri me 31 janar dhe iu kemi treguar se nëse nuk i paguajnë ekzistojnë dispozita ligjore që Paneli Zgjedhor mund të shqiptoj gjoba shtesë në rast të moskryerjes së një urdhri për pagesë nga PZAP-i, në të kundërtën kemi mënyra tjera të arkëtimi të gjobave për partitë që nuk i paguajnë gjobat. Ne do të iniciojmë procedurë me përmbarues privat”, ka thënë Desku për Front Online.