Ministrisë së Infrastrukturës, e cila udhëhiqet nga Pal Lekaj, i është pezulluar megatenderi i fundit që “peshon” hiç më pak se 106 milionë euro për ndërtimin e Autoudhës Banullë (Lipjan)- Dheu i Bardhë, raporton portali “Front Online”.
“Front Online” javën e kaluar nga nxjerrë në opinion këtë “masakër me buxhetin” të ministrit në largim Pal Lekaj, i cili ka shpallur tenderin qindra milionësh, ndonëse është në ditët e fundit të mandatit të tij dhe njëherit Kosova nuk e ka të miratuar as buxhetin e vitit 2020.
Ky njëherit ka qenë tenderi i tretë më i madh për nga vlera financiare, përpos atij të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”, i shpallur nga Ministria e Infrastrukturës deri më tani.
“Front Online” posedon vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës për pezullimin e këtij aktiviteti të prokurimit për shkak të ankesave të dy kompanive: “Jaha Company SHPK” dhe “2A Group SHPK”.
Portali “FrontOnline” kishte raportuar se kriteret e përcaktuara në dosje të tenderit janë “përjashtuese” për kompanitë vendore dhe favorizojnë ato rajonale dhe ndërkombëtare.
Në vendimin për pezullimin e tenderit thuhet se ky proces do të zgjas deri në shqyrtimin e ankesave të operatorëve ekonomik.
Përndryshe, sipas dosjes së tenderit që e kishte siguruar portali “Front Online” , më 13 janar 2020, Ministria e Infrastrukturës ka publikuar njoftimin për kontratë me titull: Ndërtimi i Autoudhës A7, kryqëzimi në disnivel A6, Autostrada A7 Banullë-Dheu i Bardhë, pjesa e udhëkryqit Bresal-Dheu i Bardhë.
Ky tender është i ndarë në katër lote: Loti i parë është mbi 7 kilometra, loti i dytë është 5.1 kilometra, loti i tretë është 6.4 kilometra dhe loti i katër është 6.2 kilometra.
Bazuar në vlerën e përgjithshme të projektit prej mbi 110.6 milionë, vlera e një kilometri Autostradë të shpallur së fundi nga Pal Lekaj do t’i kushtoj buxhetit të Kosovës rreth 4.5 milionë euro.
Për shpalljen e këtij tenderi nga ministri Pal Lekaj, i cili është në fund të mandatit të tij, ka pasur reagime edhe nga përfaqësuesit e shoqërisë civile në vend.