Një miliard e 130 milionë euro ka arritur t’i mbledhë Dogana e Kosovës brenda vitit 2019 duke realizuar pritjet.
Kështu, krahasuar me vitin paraprak, Dogana ka rritur të hyrat për 36 milionë euro, raporton KTV.
Sipas Adriatik Stavilecit, zëdhënës në Doganën e Kosovës, këto të hyra janë siguruar kryesisht nga mallrat akcizore siç janë duhani, alkooli, derivatet e automjetet.
Kjo rritje mund të jetë lajm i mirë për arkën e shtetit, por jo edhe për ekonominë e vendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve ekonomike.
Ekonomisti Naim Gashi thotë se të ardhurat nga importi tregojnë faktin se prodhimet vendore nuk po i plotësojnë nevojat e qytetarëve.
Dogana e Kosovës që mbush buxhetin e shtetit, vitin e kaluar ishte kërcënuar nga Ministria e Financave me masa të ndryshme, përfshirë shkarkim nga pozitat udhëheqëse, pasi nuk kishte realizuar të hyrat e parashikuara në muajt e parë të vitit.