Pagat e punëtorëve të Telekomit të Kosovës nuk do zvogëlohen ashtu siç kishte paralajmëruar kryeshefi i ndërmarrjes në fillim të vitit.
Burime të arbresh.info brenda Telekomit kanë bërë të ditur se tashmë është nënshkruar marrëveshja mes Federatës Sindikale të Telekomit dhe Bordit.
Ky burim ka thënë gjithashtu se marrëveshja përfshin mos zbatimin e vendimit për zvogëlim të pagave deri në vendim e Gjykatës Kushtetuese.
“Është arritur marrëveshje kompromisi mes Federatës Sindikale të Telekomit dhe Bordit të ndërmarrjes dhe do të vazhdohet me sistemin e vjetër të pagave deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Paga”, ka thënë ky burim.
Arbresh.info ka marrë vesh gjithashtu se ky vendim do të bëhet publik javën që vjen.
Kujtojmë që në fillim të 2020-es, të gjithë punëtorët e Telekomit të Kosovës u njoftuan se pagat e tyre do të zvogëlohen. Atyre u erdhi një emaili i cili u konfirmoi se pagat do të zvogëlohen prej 10 dhe 20%.
Ndërsa në emailin që kishte siguruar arbresh.info thuhej se ky vendim ka ardhur si rezultat i gjendjes jo të mirë financiare që gjendet Telekomi.
E për të tejkaluar këtë gjendje, ndërmarrja publike, Telekomi i Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës mbështetje financiare mbi 5 milionë euro për të siguruar funksionimin normal dhe pa rrezik të falimentimit.
E ky propozim u paraqit të mërkurën në mbledhjen e rregullt të Qeverisë por u shty për mbledhjen tjetër.
Me gjendje jo të mirë financiare Telekomi po përballet që nga viti i kaluar. Madje shpesh herë ishte deklaruar se është buzë falimentimit.
Mijëra euro ishin ndarë për këngë dhe klipe të këngëtarëve të ndryshëm kosovarë. Nga paratë e Telekomit ishin organizuar spektakle të bukurisë, madje para ishin ndarë edhe për sallone të bukurisë.