THAÇI NUK E PËRJASHTON MUNDËSINË QË T’I DREJTOHET KUSHTETUESES PËR MANDATARIN

Zyra e Presidentit të Kosovës, ka paralajmëruar mundësinë që presidenti Hashim Thaçi t’i drejtohet me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar paqartësitë kushtetuese dhe ligjore, në rast se do të ketë vonesa të mëtejme në formimin e koalicionit qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, koalicion i cili do të formonte qeverinë e re.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Zyra e informimit të Presidencës së Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Përgjegjësia kushtetuese e presidentit është funksionalizimi i institucioneve. Ai është garantues i funksionimit kushtetues e demokratik dhe është i obliguar të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur këtë detyrim të tij, duke mos përjashtuar edhe kërkesat drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit të Kosovës.

Megjithatë, kjo zyrë nuk ka sqaruar se kur presidenti i vendit do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.