Tregtia milionëshe me Kinën, sa janë të rrezikuar qytetarët e Kosovës nga Koronavirusi

Virusi i cili tashmë ka prekur Evropën, mund të përhapet edhe në Kosovë. Për shkak të gjendjes alarmante dhe numrit të madh të të prekurve, institucionet shëndetësore janë bërë gati. Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, thotë se Kosova është e rrezikuar njësoj si nga shtetet e tjera. E në gjendje gatishmërie po qëndron edhe një staf mjekësor në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”. Kurse gjatë ditës së djeshme Kosova ka ndaluar importin për bletë dhe hojet e bletëve nga Kina. Por, çka në fakt importon e eksporton Kosova nga Kina? 

Koronavirusi i cili është duke u përhapur në Kinë dhe disa vende të tjera, ka ngritur alarmin e rrezikut edhe në Kosovë. Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik pohojnë se nga ky virus është e rrezikuar edhe Kosova. 

Thonë se janë në  gjendje gatishmërie për ta menaxhuar këtë virus, por që për të mbërritur në Kosovë atij i duhen tre deri në gjashtë muaj.

Reklama e sponzorizuar

E gjatë ditës se gjatë ditës së djeshme Kosova ka ndaluar importin për bletë dhe hojet e bletëve nga Kina.

 Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës kanë treguar se Republika e Kosovës nuk ka importe nga shteti i Kinës, të produkteve ushqimore të cilat potencialisht konsiderohen si lëndë e përmes të cilës mund të bartet virusi, njëkohësisht nuk ka as importe të kafshëve të gjalla.

“I vetmi import ka qenë ushqimi për bletë dhe hojet e bletëve. Të cilat i kemi ndaluar menjëherë për import. Kjo na ndihmon që ne t’i shmangemi rrezikut direkt nga vendi i origjinës së virusit. Po ashtu ndaj secilit shtet që ndërmerren masat e ndalesës së tregtimit të produkteve ushqimore dhe kafshëve, menjëherë ndalesa do të vlejë edhe për tregtim me vendin tonë”. 

Mirëpo edhe pse Kosova dhe Kina janë  larg njëra tjetrës me mijëra kilometra, këto dy shtete tash e shumë vite bëjnë biznese mes vete.

 Importi e eksporti i mallrave kap vlerën e miliona eurove. 

Në Doganën e Kosovës kanë treguar gjatë vitit të kaluar në Kosovë kanë hyrë mallra të ardhur nga Kina në vlerë prej 306 milionë euro.

Kurse, në vitin 2018 kishte hyrë mall nga Kina në Kosovë në vlerë prej 281 milionë euro.

“Vitin 2018 kemi pasur nga Kina import në sasi prej  120 milionë kg dhe me vlerë prej 281 milionë euro , derisa ne vitin qe lamë pas kemi pasur 125 milionë kg produkte me vlerë prej 306 milionë euro pra një rritje e vlerës prej 9 % më shumë”. 

Por, edhe Kosova ka bërë pak eksport në Kinë. Sipas Doganës, shteti ynë  gjatë vitit të kaluar në Kinë ka dërguar mallra në vlerë vetëm prej rreth 1 milion e 500 mijë eurove.

“Saktësisht 1 milion e 401 mijë euro është vlera e eksportit të Kosovës drejt Kinës”.

Edhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shteti i Kinës vazhdon të jetë vendi prej nga Kosova importon më së shumti mallra.

Sipas ASK-së gjatë viti të kaluar më së shumti kanë hyrë mallra në Kosovë nga Turqia dhe Kina.

“…ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 100.3 milionë euro, ose 34.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.2%) dhe Kina (10.4%).

Çka dërgon Kosova në Kinë dhe çka Kina në Kosovë? 

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vendi i ynë në Kinë ka dërguar mallra të ndryshme. Në mesin e këtyre mallrave, nuk ka munguar edhe ushqimi për kafshë e mjetet për punë.

“Mbetje dhe kthimet nga industritë ushqimore; tagjia e përgatitur për kafshët. xeheroret, zgjyrat dhe hiri. Artikujt prej guri, allçie, çimentoje, asbesti, mike apo materiale të ngjashme. Makineri dhe pajisje elektrike dhe pjesët e tyre; regjistruesit dhe riprodhuesit e tingullit; regjistruesit dhe riprodhuesit e imazhit televiziv she zërit, pjesët dhe plotësuesit të këtyre artikujve. Mjetet e transportit të ndryshëm nga vagonët e  hekurudhës ose tramvajit, pjesët dhe plotësuesit e tyre”, janë disa nga mallrat që Kosova i ka dërguar në Kinë, thuhet në raportin e Doganës së Kosovës.

E për dallim të Kosovës që ka dërguar në Kinë vetëm disa lloje të mallrave, Kina në vendin tonë ka eksportuar me qindra lloje të mallrave, duke nisur edhe nga gëzofët dhe qimet artificiale.  Po ashtu janë eksportuar edhe tapa (kapak) dhe artikuj prej tape.

“Produktet bulmetore; vezët e zogjve, mjalti natyral, produktet e ngrënshme me origjine prej kafshëve, pe pa përfshira dhe te paspecifikuara diku tjetër. Kafe, çaj, mate dhe erëza e drithërat”, thuhet në raportin e Doganës.

Në këtë raport tregohet po ashtu se nga Kina kanë hyrë edhe  ushqimet e përgatitura prej mishit, prej peshkut apo prej krustaceve.

Nuk kanë munguar as pijet, ato alkoolike e deri tek uthullat. Gjatë një viti Kosova importon nga Kina, orë të të gjitha llojeve dhe pjesët e tyre, instrumente muzikore, pjesët dhe plotësuesit e artikujve të tillë, armët dhe municionet, pjesët dhe plotësuesit e tyre.

“Eksplozivët; produktet piroteknike; shkrepëset; lidhjet piroforike; preparatet e caktuara te djegshme. Mallrat fotografike dhe Kinematografike”, janë disa nga mallrat që janë blerë në Kinë.

Po ashtu, importohen edhe mobilieritë, si krevatet, dyshekët, mbajtëset e dyshekëve, jastëkët dhe shtresa të ngjashme të mbushura, llampat dhe pajisje ndriçimi, jo të përfshira apo të specifikuara diku tjetër, shenjat ndriçuese, pllakat e emrit ndriçuese dhe të ngjashmet.

Nga Kina importohen edhe lodrat, pajisjet e lojërave dhe ato sportive, pjesët dhe pajisjet shtesë të tyre, artikuj të ndryshëm të prodhuar, veprat e artit, copat e mbledhura nga koleksionistët dhe antikat, klasifikime te veçanta jo komerciale, e shumë produkte tjera.

Në Kosovë importohen nga Kina edhe shumë pjesë për anije, armë e çka jo tjetër. Nga Kina importohen mjetet e transportit të ndryshëm nga vagonët e hekurudhës ose tramvajit, pjesët dhe plotësuesit e tyre, avionët, anijet e hapësirës, dhe pjesët e tyre, anijet, varkat dhe strukturat lundruese, instrumentet dhe aparatet optike, fotografike, kinematografike, matëse, kontrolli, saktësie, mjekësore ose kirurgjikale dhe pjesët dhe plotësuesit e tyre.

Në Kinë deri më tani 106 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e epidemisë së koronavirusit të tipit të ri, i cili për herë të parë u vërejt më 12 dhjetor në Wuhan, ndërsa gjithsej 4.515 janë infektuar. /Monitor.al/