I dështuar po konsiderohet projekti për ndërtimin e kolektorit dhe impiantit biologjik në fshatin Orllan të Podujevës. Ky projekt, që financohet nga Qeveria zvicerane dhe implementohet nga Organizata CDI, ka për qëllim zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza që tash derdhen në liqenin e Batllavës.
Projekti parashihte që institucioneve publike (si shkolla dhe nënstacioni i policisë), restoranteve shtëpive të banimit t’u ndërtohej kolektori i ujërave të zeza dhe pastaj ato të trajtoheshin në impiantin biologjik. Por përfaqësuesi i fshatit Orllan, Nuhi Selimi, thotë se në rrjetin e kanalizimit nuk janë përfshirë as 20 për qind e shtëpive të këtij fshati. Sipas tij, ujërat e zeza do të vazhdojnë të derdhen në liqenin e Batllavës edhe pas përfundimit të këtij projekti, shkruan sot Koha Ditore.
“Unë nuk kam qenë në rrjedha të këtij projekti, nuk e di as kush e përcjell, se as komuna nuk e përcjell sa duhet. Këtu gjithçka mbrapsht është nisur, mbrapsht po ecën. Unë besoj që ka me qenë projekt i dështuar e jo i jetësuar. Nuk është përfshirë as 20 për qind e familjeve të Orllanit, shkolla jo, Stacioni i Policisë jo, ‘Miliniumi’ (restoranti v.j.) jo, shtëpitë te xhamia asnjë, asnjë lagje jo, veç skaj rrugës nja 4-5 familje në Orllan, edhe ‘Adriatiku’ (restoranti v.j.). Si përfaqësues i fshatit kurrë nuk më ka kontaktuar askush”, ka thënë Nuhi Selimi.
Ai thotë se ky projekt nuk mund të konsiderohet se është bërë për fshatin Orllan.