Vetëvendosje i përgjigjet Abrashit: S’e kemi kërkuar kurrë Presidentin

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ka më shumë se 3 muaj që nuk po arrijnë të dakordohen për një marrëveshje finale që do të rezultonte me krijimin e institucioneve të reja. Sekretari Organizativ i partisë së Isa Mustafës, Arban Abrashi, të mërkurën në T7 ka thënë se një marrëveshje e tillë nuk është arritur meqenëse LVV s’ka shprehur gatishmëri ndaj kërkesës së LDK’së për presidentin.

Madje Abrashi ka thënë se Kurti tri pozitat kryesore, kryeministër, kryekuvendar  i do për partinë e tij dhe në këtë rast ka përmendur edhe rrezikun për rrëshqitje në autokraci.

Por nga Lëvizja Vetëvendosje mohojnë që ta kenë kërkuar edhe postin e presidentit. Arlind Manxhuka në një përgjigje për Gazetën Express thotë se një gjë e tillë vërtetohet edhe nga oferta e publikuar dje nga Besnik Bislimi.

Reklama e sponzorizuar

“Propozimi i fundit i Lëvizjes VETËVENDOSJE! të cilin e publikoi nënkryetari Besnik Bislimi nuk e thotë një gjë të tillë. Ju kisha lute ti referohen të gjithë atij teksti dhe te mos flasim gjera qe nuk janë thënë asnjëherë”, ka thënë ai për Express

Deputeti LDK’së Arban Abrashi në T7 kishte thënë se nuk është e mirë për demokracinë që një parti të marrë 3 pozitat kryesore, pasi sipas tij një gjë e tillë shfaq rrezikun për rrëshqitje në autokraci dhe thotë se LDK nuk e lejon një gjë të tillë.

“Nëse një parti i merr këto tri poste, nuk është mirë për atë demokraci, sepse kompetencat e presidentit në koordinim me kryeministrin janë shumë të mëdha. Prandaj rrëshqasim drejt autokracisë, dhe LDK këtë nuk e len. Duhet me e kontrollu demokracinë në vend, që një parti mos me i marrë krejt këto. Këtë e kemi bërë për shtetin, jo për LDK’në. Nuk e di a ka prirje (autoritare), Nuk po dojm as me e testu e as me e bo prova me vendin tonë”, ka thënë Abrashi në T7.

Ai tutje ka thënë se ajo se çfarë po kërkon LDK’ja është një marrëveshje fer dhe e balancuar që garanton funksionimin e shtetit.