Vjosa Osmani: Oferta e LVV përpjekje serioze, tash strukturat e LDK’së duhet të vendosin!

Agim Veliu një ofertë të tillë e ka cilësuar si joserioze, por Vjosa Osmani thotë se çfarëdo lëvizje që kë për qëllim afrimin e qëndrimeve duhet të vlerësohet si përpjekje serioze, dhe thotë se për të vendosin përfundimisht organet e LDK’së.

Kështu ka thënë Osmani në një përgjigje për Gazetën Express, teksa nuk ka pranuar të ndajë detaje nga ofertat e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk mund ta komentoj ofertën dhe detajet e saj sepse ashtu jemi dakorduar në takimet tona të fundit. Por, në parim, çdo përpjekje që qon drejt përafrimit të qëndrimeve, duhet të vlerësohet si përpjekje serioze. Të gjitha propozimet, idetë e vlerësimet që kanë për qëllim arritjen e marrëveshjes e jo dështimin e saj, duhet të trajtohen me kujdes. Këshilli i përgjithshëm i LDK’së dhe deputetët e LDK’së të cilët kanë mandatin qytetar, janë ata që vendosin përfundimisht”, ka thënë Osmani për Express.

Reklama e sponzorizuar

Osmani gjithashtu ka shigjetuar ata të cilët po bëjnë përpjekje për të mos u arritur një marrëveshje mes LDK’së dhe VV’së, duke ua përmendur gjysmë milioni qytetar që janë mbrapa dy partive.

Këtë paralajmërim nënkryetarja e LDK’së e ka dhënë edhe për njerëzit brenda Kosovës por edhe për ata jashtë.

“Të gjithë zërat, andej e këndej kufirit, që po bëjnë përpjekjet e tyre të fundit për ta parandaluar ndryshimit e për të rrënuar shpresën le ta dinë qartë se ne që bartim peshën e ndryshimit në Kosovë, i kemi edhe gati gjysmë milion qytetar prapa. Qytetarët e bënë ndryshimin me votën e tyre dhe nuk duhet të lejojmë që askush ta ndalë atë”, ka përfunduar Osmani.

Një koalicion mes dy partive tashmë po e kërkojnë edhe miqtë ndërkombëtar. Vetëm gjatë ditës së djeshme në zyrat e LDK’së ka qëndruar ambasadori amerikan, Philip Kosnett, dhe gjithashtu ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker.

Walker ka takuar sot edhe kreun e VV’së, Albin Kurtin, të cilit ia ka dhënë një mesazh shumë të qartë, që të nguten dhe ta krijojnë qeverinë sa më shpejtë.