VV – LDK dhe QUINT takohen në ora 17:00, a do ta thyejnë bllokadën diplomatët?

Me prezencën e ambasadorëve të QUINT-it dhe të shefes së Misionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë, do të mbahet sot takimi i radhës në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gazeta Express merr vesh se takimi është caktuar për në ora 17:00 në Kuvend të Kosovës.

Dje u tha se do të merren vesh përfundimisht për koalicionin ose që nuk mund të shkojnë bashkë në qeverisje. Mirëpo, takimi që zgjati gati tre orë në mes të LV-së dhe LDK-së, përfundoi edhe njëherë pa epilog.

Reklama e sponzorizuar

Teksa afati për mandatarin po shkon drejtë fundit, partitë që ka muaj që janë ulur në tavolinë të diskutimit nuk po arrijnë që të heqin dorë e të bëjnë marrëveshje, por, po insistojnë në përmbushje të kërkesave.

Edhe njëherë, Lidhja Demokratike ka shkuar në takim me kërkesën fillestare. Partia e udhëhequr nga Isa Mustafa, që dje shkoi vetë i shtati në takim, kërkuan nga LV-ja, presidentin, kryeparlamentarin dhe pesë ministri si ofertë për koalicion.

Vetëvendosje as të hënën nuk e pranoi këtë kërkesë, duke iu ripërsëritur ofertën për shtim të numrit të ministrive. Nëse shkohet me 15 ministri, LV-ja merr 5 ministri, 7 LDK dhe 3 minoritetet. Ndërkaq, nëse shkohet me 12, LDK merr 6, ku përfshihet edhe MPJ-ja, LV katër ministri dhe 2 minoritetet.

Kur kjo ofertë që është bërë edhe para vikendit, u refuzua për herë të fundit, partia e udhëhequr nga Albin Kurti propozoi që në diskutime të përfshihen edhe ndërkombëtarët.

Kështu, për sot në ora 17:00 siç merr vesh Gazeta Express është caktuar takimi me ambasadorët e QUINT-it dhe me shefen e misionit të BE-së në Prishtinë. Takimi do të mbahet në Kuvend të Kosovës.

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani i ka thënë dje gazetës se takimi është informativ.

Megjithatë, sot kur ambasadorët do të njoftohen nga dy subjektet për rrjedhshmërinë e bisedimeve, nuk përjashtohet mundësia që atyre të ju kumtohet lajmi se marrëveshja në parim ka dështuar.

LV dhe LDK-së iu kanë mbetur edhe pak ditë për t’u marrë vesh.

4 shkurti, në rast se e gjen vendim pa një marrëveshje për koalicion, mund të çojë në qeveri teknike, një koalicion të ri të partive tjera apo zgjedhje të reja.