Dihet se kostoja e të jetuarit në Zvicër është jashtëzakonisht e lartë, sidomos Cyrihu dhe Gjeneva po thuajse rregullisht janë renditur në mesin e qyteteve më të shtrenjta në botë, transmeton albinfo.ch.
E së fundi, një studim i ri tregon se zviceranët duhet të paguajnë 168 franga për një shportë të mallrave të konsumit që kushtojnë mesatarisht 100 euro në Bashkimin Evropian.
Bazuar në raportin e barazive të fuqisë blerëse të publikuar javën e kaluar nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), Zvicra është vendi i tretë më i shtrenjtë në Evropë për sa i përket çmimeve.
E çmimet janë cilësuar veçanërisht të kushtueshme kur bëhet fjalë për ushqim, pije, hotele, restorante, veshmbathje dhe sigurime shëndetësore.
Por Islanda dhe Norvegjia janë edhe më të shtrenjta, sipas raportit, shkruan TheLocal.
Shporta e produkteve që kushtojnë 168 franga në Zvicër është 107 euro në Gjermani, 109 euro në Francë. dhe 111 euro në Austri; me 98 euro, Italia është pak nën mesataren evropiane.
Niveli më i ulët i çmimit është regjistruar në Turqi, e ndjekur nga Maqedonia Veriore dhe Shqipëria.
Nga ana e ndritshme, çmimet për artikuj të caktuar, siç janë mobiljet dhe elektronika e konsumit, janë më të ulëta në Zvicër sesa mesatarja evropiane, sipas të dhënave.
Një krahasim tjetër i ri nga Eurostat tregon Zvicrën është në vendin e dytë për sa i përket çmimeve, menjëherë pas Islandës.
Sidoqoftë, studime të tjera kanë treguar që edhe përkundër kostos së lartë të jetesës, Zvicra ka një nga fuqitë më të mira blerëse në botë falë një kombinimi të faktorëve të tillë si të ardhurat e larta dhe taksat e ulëta.