Zyrtari policor, Muhamer Miftari, i akuzuar për marrje të ryshfetit, është dënuar me një vit burg dhe me 500 euro gjobë.
Në këtë rast, për të njëjtën vepër penale akuzohej edhe zyrtari tjetër policor, Hyzer Dugolli, i cili pas pranimit të fajësisë në seancën fillestare të mbajtur më 11 tetor të vitit 2019, është dënuar me nëntë muaj burg dhe 500 euro gjobë.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Miftari, është shpallur në seancën e së enjtes, nga kryetari i trupit gjykues, Mustaf Tahiri, me ç’rast në dënimin me burgim, atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, dënimin me gjobë, ai është obliguar ta paguajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në të kundërtën do t’i zëvendësohet me dënim me burg, duke llogaritur një ditë burgimi me 20 euro.
Po ashtu, ai është obliguar të paguajë shumën prej 100 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe 50 euro në emër të fondit të viktimave të krimit.
Kurse, për kërkesën pasurore juridike, i dëmtuari Bekim Rexhaj është udhëzuar në kontest civil.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 tetor 2019, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, të pandehurit Hyzer Dugolli dhe Muhamer Miftari akuzohen se nga 5 deri më 13 shtator 2019, në Shtime, në cilësi të personave zyrtarë, policë në Stacionin Policor në Shtime, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror dhe duke mos vepruar në pajtim me detyrat zyrtare, kishin kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Bekim Rexhaj.
Siç thuhet në aktakuzë, nga i dëmtuari kishin kërkuar shumën prej 400 euro, me qëllim që të mos e ekzekutonin aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Divizioni për Kundërvajtje, për zbatim të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit të kategorisë “B”, në kohëzgjatje prej gjashtë muaj.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 13 shtator 2019, rreth orës 12:45, në restorantin “Globus”, i pandehuri Dugolli kishte pranuar katër kartëmonedha nga 100 euro nga i dëmtuari, dhe atë, për vete dhe për kolegun e tij, të pandehurin Miftari, të cilat kishin qenë të vendosura në një pako të cigareve, me ç’rast, nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës ishte arrestuar në flagrancë.
Për këtë, ata akuzohen që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrja e ryshfeti”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.