Zvogëlimi i numrit të ministrive nga 21 në 15, rrjedhimisht shkrirja e disa prej tyre në një ministri të vetme, ka ngritur shqetësim tek shërbyesit civilë dhe Sindikatës e cila i përfaqëson ata. E, më të habitur shprehen për shkak se thonë se nuk janë informuar asgjë në lidhje me statutin e tyre të punës.
Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil në Kosovë, Mursel Zymberi, ka thënë për GazetaBlic se asnjë shërbyes civil nuk guxon të mbetet pa marrëdhënie pune për interesat dhe “dëshirat” e Qeverisë.
“Kjo ka sjellë shqetësim dhe huti të madhe lidhur me atë se cilat departamente të ministrive do të preken më shumë në ministritë që pritet të fuzionohen me ministri të tjera. Ka një shqetësim e huti të madhe sepse nuk janë të informuar shërbyesit civilë, se çka do të ndodhë, proces ky i cili është mbajtur kryesisht për interesa të Qeverisë dhe nuk është dhënë informatë e duhur”.
“Nuk guxon asnjë shërbyes civil me mbetë pa marrëdhënie pune, nuk guxon t’i ndërpritet marrëdhënia e punës. Janë rregullat ligjore që përcaktojnë se në cilat raste mund të ndërprehet marrëdhënia e punës, vetëm në raste të shkeljeve të rënda, apo gjygjësore, përndryshe me dëshirat dhe fontanat e qeverisjes nuk guxon asnjë punëtor me mbetë pa marrëdhënie të punës”, tha ai.
Megjithatë shprehet bindshëm se nga kjo ministri do të marrin përgjigje pozitive, përndryshe Sindikata do të ndërmarr veprime, tha ai.
“Ne ua kemi bë me dijë me një shkresë të fundit që e kemi dërguar në lidhje me një konkurs që ka qenë se këto gjëra nuk tolerohen dhe nuk guxon të mbetet pa punë njeriu në fjalë. Po presim përgjigje se si ka me vepru MPB. Nuk besoj që do të ketë llogari qeveria të merret me problem të imëta sepse Kosova ka probleme shumë më të mëdha se këto dhe duhet vetëm koordinim në pajtim me idetë të cilat ne ua kemi ofruar, atëherë kjo çështje është shumë e thjeshtë, por nëse don me iu hy telasheve ne këtu jemi, nuk kemi ku të shkojmë”.
Zymberi madje thotë se nuk ka shumë zyrtarë të shërbimit civil ashtu siç proklamohet, aq sa ka në shërbimin publik, edhe pse sipas tij punën më të madhe po e kryejnë shërbyesit civilë e me pagë më të vogël se ata publikë.
“Numri i punëtorëve nuk guxon të largohen as shumë, as pak. Ajo është peshë të cilën ka me e matë qeverisja, ka me pa ku ka shumë e ku ka pak, por në shërbim civil nuk ka shumë kështu siç këta thonë, por në shërbimin publik, ku bëjnë pjesë prokuroria, gjyqësia, policia, arsimi, shëndetësia, etj. E në këto, në shumë raste shërbyes civil bile ka shumë pak e kanë orar të stërngarkuar të punës dhe presion në raport me sektorët e tjerë që kanë orar të saktë dhe paga më të mira”, shton kryetari i Sindikatës.
Ai tha se marrëveshja e partive qeverisëse për fuzionim të ministrive është dashtë të llogaritet mirë se kë dëmton.
“Marrëveshja e partive politike nuk guxon me e thy Kushtetutën dhe ligjin. Mund të jetë marrëveshje e partive qeverisëse, ata kanë thënë marrëveshje me fuzionim të ministrive, veç është dashtë me ia qitë lapsin shumë mirë që të mos e dëmtojnë dikë”, tha Zymberi.
Në kundërshtim të çfarëdo veprimi të Qeverisë që do të ndikonte interesin e nëpunësve civilë, Zymberi thotë se Sindikata do të ndërmarr veprimet e veta, përfshirë grevat e protestat.
Marrëveshjet e teket e tyre, thotë ai për Qeverinë, nuk do të lejojnë t’i rrezikojë punëtorët.
“Sindikata i ka veprimet e veta, ne jemi këtu, nuk ikim dhe jemi mësu më me këto gjëra. Sigurisht që vetëm na futë në veprim sindikal të cilin e parasheh Ligji për Organizimin Sindikal dhe shërbyesit civil janë të gatshëm. Mos të na detyrojnë me veprime të tilla me shku sepse atëherë ka paralizë të shtetit sepse nuk lejojmë që dikush për marrëveshje e teke të tyre me i rreziku punëtorët”.
“Ne po i paralajmërojmë ata, ata le të maten, nëse mendojnë me bë diçka tjetër dhe me bë kundër nesh, ne jemi këtu, nuk ikim, në vendin tonë të punës”, tha Zymberi për GazetaBlic.
Javën e kaluar, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, anëtarët e kabinetit qeveritar aprovuan propozimin që sekretarët e përgjithshëm të ministrive, të cilat janë prekur nga reduktimi, të kalojnë në listën tepricë. Ndërsa, për punëtorët tjerë të ministrive që janë “shkrirë” ende nuk ka ndonjë vendim se çka do të ndodhë me ta.