Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, në Interaktiv të KTV-së theksoi se sot janë deponuar 41 nënshkrime të opozitës, e të hënën, pritet të nisin debatin kryesor në Kuvend për tarifën, pasi sipas tij “AAK-ja ka argumente të mjaftueshme të tregojë se heqja e saj është e gabuar”.
Sipas Abrashit, tarifa duhet të mbetet derisa Serbia ta njohë Kosovën.
“Duhet negociata të bëjë Kurti, ne s’e pamë asnjë negocim madje as përputhje mes partnerëve të koalicionit”, u shpreh ai.
Abrashi, thotë se Kurti dikur vet ka protestuar për faktin se është e pabarabartë kundrejt Serbisë, ndërsa tash, po heq tarifën, ndonëse, ajo s’është hequr tërësisht.
“Ka protestuar edhe me kamionë, ka çuar mesazhe që atë kohë e kanë përkrahë”, tha Abrashi.
“Vendimet e para po i merr ato që nuk lidhen me kauzën që Kurti njihet që 10 vjet”, u shpreh Abrahshi.
Sipas tij, “produktet e Kosovës në atë kohë nuk kanë mundur të shiteshin në Serbi”. Ai thotë se pikërisht për këtë, qeveria Haradinaj ka vendosur tarifën 100 për qind.
“10 vjetët e fundit eksporti i produkteve serbe sillet diku 500 milionë euro, Kosova po vazhdon të jetë e pabarabartë në këtë aspekt”, u shpreh ai.
Sipas tij, “kosovarët vazhdojnë të jenë të nënçmuar nëpër pika kufitare”, duke aluduar se tarifa e vendosur, do ta ndihmonte edhe këtë aspekt, pra t’ua lehtësojë qytetarëve të lëvizin lirshëm nëpër vende tjera përmes pikave kufitare.
Abrashi ka kujtuar se së shpejti në Serbi janë zgjedhjet.
“Në Kosovë po veprohet kur Vuçiqit i duhet një përkrahje. Kurti ka sjellë një vendim që me datën 15 mars pjesërisht heq taksën. E data 1 prill, është caktuar qëllimisht kjo datë. Tarifa është instrument që e mbanë atë në lojë”, u shpreh Abrashi.
Sipas Abrashit, sensibilizimi i tarifës e solli Grenellin në Kosovë.
“Grenelli me shtytjen e tij i arriti tri marrëveshje”, u shpreh ai.
Abrashi thotë se SHBA-ja do të vazhdojë përkrahjen për Kosovë, dhe sipas tij, është krijuar një perceptim se Amerika po kritikon shumë Kosovën.
“Produkti më i mirë që ka bërë Amerika, është Kosova. Nuk ka shqiptar në Kosovë që nuk zgjohet pa flamur të Amerikës e nuk fle me të. Kosova duhet të jetë insistuese”, u shpreh ai.
Ai thekson se prej vendosjes së tarifës, kanë nisur ndryshimet në shumë aspekte.
“Çfarë parimi të reciprocitetit mund të përdorim ne nëse Serbia vazhdon edhe më tej me çnjohje. Sikur ne të kishim shpresë që është e barabartë, ne do të kishim zgjedhjen. Tarifa ka dhënë rezultatet e para”, u shpreh ai.
Abrashi, thotë se tarifa ka rritur edhe numrin e punëtorëve.