Afaristi kosovar, Pirro Piraj, ka deklaruar se KEDS-i po ia vështirëson operimin e biznesit të tij.
Piraj përmes Facebook ka shkruar se qëllim i tij nuk është dëmtimi i dikujt padrejtësisht ndërsa biznesi që ai e ka, e paguan energjinë elektrike për rrymën 24/7, e cila shumëherë nuk ndodhë të jetë kështu.
“Për sa i përket rastit në fjalë, në demantimet nga ana e KEDS-it, thuhet që tarifa prej 3,21 euro është tarifë fikse pasi që në momentin e faturimin agjenti s’ka pas qasje!!E thamë me përgjegjësi të plot që ne si kompani asnjëherë të vetme nuk ja kemi ndalu as KEDS-it e as ndonjë institucioni tjetër qasjen në objektet tona, njëkohësisht mundohemi që ti përmbahemi me përpikëri ligjit të punës i cili na obligon që punëtori të punoj 40 orë në javë, e në rastin konkret orari i punës është nga e Hëna në të Premte nga ora 07 deri më 15 dhe në çoftë se agjenti vjen pas orarit të punës, ose në vikend ne nuk mbajmë përgjegjësi”, ka shkruar Piraj.
Ai ka shtuar se në kartelën e pranuar nga KEDS, shihet që në kohët e fundit i ka pasur dy faturime në vlerë 3,21 euro, të cilat i ka paguar mirëpo për këto faturime, s’ka marrë as faturë e as nuk ka qenë i njoftuar.
“Krejt çka kam bërë unë, është se dyshimet e mija të bazuara në dokumente të KEDS-it i kam bërë publike”, ka shkruar tutje ai.