Ambasada amerikane dhe zyra e Grenellit insistojnë në heqjen e taksës ndaj Serbisë

Zyra e Richard Grenellit ka mohuar se do të ndalen investimet amerikane në Kosovë, nëse vazhdon të mbesë në fuqi taksa ndaj produkteve serbe, por edhe nëse vendoset masë reciprociteti.

Por, në një përgjigje për Kohavisionin, zëdhënësi i të dërguarit special të presidentit Donald Trump, ka thënë se taksa e vendosur nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, është duke dëmtuar bizneset amerikane në Kosovë.

“Ambasadori Grenell gjithmonë e ka sqaruar se tarifat dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i dërgojnë një mesazh të tmerrshëm komunitetit të sektorit privat se Kosova nuk është një vend për të zhvilluar një biznes. Ai ka dëgjuar nga shumë pronarë biznesesh brenda Kosovës, përfshirë disa ndërmarrje amerikane, se tarifat po dëmtojnë shumë fitimet e tyre”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Grenellit.

Reklama e sponzorizuar

Më tutje, Dick Custin, thotë se zëvendësimi i taksës me reciprocitet nuk do të krijojë vende të reja të punës.

“Ambasadori Grenell u ka bërë të qartë udhëheqësve politikë në Kosovë dhe Serbi se investimet e SHBA-së në Kosovë nuk do të kenë përfitimin e dëshiruar për të ndihmuar ekonominë nëse tarifat janë në fuqi. Zëvendësimi i tarifave me më shumë barriera dhe e ashtuquajtura “reciprocitet”, gjithashtu, do të jetë kundërproduktive për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë”.

Përgjigje të njëjtë ka dhënë të mërkurën për KTV-në edhe Ambasada amerikane në Prishtinë.

“Pozicioni amerikan për tarifën 100 % të Kosovës nuk ka ndryshuar. Siç ka thënë së fundi i dërguar i presidentit, Grenell tarifat duhet të hiqen dhe fushata e Serbisë për çnjohjet duhet të ndalet”, thuhet në një përgjigje.

Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës, nuk kanë pranuar ta komentojnë qëndrimin e Amerikës, lidhur me heqjen e taksës, por as për reagimin ndaj zëvendësimit të mundshëm të saj me reciprocitet ndaj Serbisë.