Njëri prej biznesmenëve të njohur në Kosovë e që është njëri prej pronarëve të kompanisë “Meka Halal Food”, Pirro Pirraj e ka denoncuar KEDS-in për vjedhje në fatura të energjisë elektrike.
Këtë denoncim Pirraj e ka bërë përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, me ç’rast ka treguar se si në faturë i janë shtuar disa euro pa asnjë mbulesë.
Ai ka fotografuar faturat që i ka pranuar nga kjo kompani për pagesën e shfrytëzimit të energjisë elektrike dhe aty shihet se si shuma e caktuar për pagesë është fryrë në fund.
Më tej biznesmeni jep edhe sqarimin se si po ndodhin këto keqpërdorime, përmes faturave.
“Fatura në të majtë, njëjtë sikurse tek ajo në të djathtë, borxhi ka qenë 0, mirëpo në faturën në të majtë pagesa në fund është 3,21 euro më shumë se shuma e cila do të duhej të paguhej!. Pra, në vend se totali për pagesë të ishte 38,77 sepse aq është realisht, është 41,98 euro, për 3,21 euro më shumë, pa asnjë arsye!”, ka shkruar Pirraj.
Tutje Pirraj këtë shtim të shumës për pagesë e ka quajtur hajni klasike, duke thënë se vlera është e vogël mirëpo dukuria është e madhe.
“Krejt rastësisht sot e vërej këtë hajni klasike të KESCO! Vlera është e vogël, mirëpo dukuria është e tmerrshme, pasi që jam i bindur që shumë nga ne nuk ju kushtojmë rëndësi detajeve, e këta nuk e lëshojnë rastin, qoftë edhe për pak para!”, ka thënë ai.
Kujtojmë se javën e kaluar erërat e forta dhe reshjet e mëdha të borës shkaktuan probleme të mëdha në gjithë Kosovën. Për shkak të dëmeve në rrjetin elektrik, numër i madh i fshatrave, por edhe qytete nga dita e martë kanë mbetur deri të dielën pa rrymë.
E kjo ka sjell probleme të mëdha për qytetarët, të cilët në ftohtin e madh mbetën pa rrymë, por edhe ujë të pijshëm.
Mungesa e energjisë elektrike u ka shkaktuar probleme edhe bizneseve vendore, të cilët për ditë të tëra nuk kanë mundur të punojnë me kapacitete të plota.
E denoncimi i sotëm për vjedhjet që po i bën KEDS-i erdhi prej njërit nga pronarët e një kompanie që i jep nga 14 rroga për punëtorët e saj. Kjo është Kompania “MEKA” është e njohur në mbarë botën me produkte shumë cilësore nga mishi i pulës dhe gjedhit.
Kompania “Meka”, me pronar Burim Pirrajn në vitin 1992 ka filluar aktivitetet e saja prodhuese duke nxjerrë në treg suxhuk, kurse më vonë fillon prodhimin e produkteve të tjera siç janë; sallamë, proshutë, salsiçe, pashtetë, rriskë të gjedhit, si dhe gjella të gatshme të konzervuara.
Kjo kompani është e certifikuar me standarde ndërkombëtare për cilësi në prodhimin e produkteve HALAL.
Cilësia e produkteve ka bërë që të jetë fituese e shumë çmimeve vendore e ndërkombëtare. Në vitin 2015 në Gjenevë të Zvicrës, MEKA u shpërblye nga organizata BID me medaljen e artë për cilësi të lartë të produkteve dhe të menaxhimit. Këtë shpërblim MEKA e fiton në konkurrencë e sipër me kompani të mëdha botërore për përpunimin dhe prodhimin e mishit.