Bordi i Telekomit u shkarkua nën dyshimet për përfshirje në afera korruptive

Qeveria e Kosovës e ka shkarkuar Bordin e drejtorëve të Telekomit.

Ministrja e Tregtisë dhe e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, duke lexuar propozimin e saj, e ka cilësuar domosdoshmëri këtë shkarkim, pasi, sipas saj, ndërmarrja është në gjendje të rëndë dhe ndodhet në prag të falimentimit, raporton KTV.

Ajo i ka propozuar Qeverisë që, përveç shkarkimit të Bordit të Telekomit, të shfuqizojë edhe vendimet e 29 marsit 2018 dhe 11 qershorit 2019, për emërimin e drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Reklama e sponzorizuar

Edhe kryeministri Kurti i ka mbështetur pretendimet e ministres Hajdari.

Derisa, zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Hajdari duhet t’i analizojë të gjitha raportet e ndërmarrjeve publike sepse gjendja është më e keqe se në Telekom.

Por, paraprakisht, kryesuesja e Bordit kishte tentuar të bëjë një veprim interesant. Ajo kishte nënshkruar dorëheqjen e saj, por nuk e kishte protokolluar duke e pritur veprimin e Qeverisë.

E kontaktuar nga Kohavisioni, Besa Shatri – Berisha kishte deklaruar se “edhe mund të japë edhe mund të mos japë dorëheqje, varet nga veprimet”.

Ndërkaq, pak orë para shkarkimit, i gjithë bordi i kishte nisur një letër ministres Rozeta Hajdari.

Bordi i drejtorëve të Telekomit i është lutur Ministrisë së Zhvillimit Ekomomik që të mos i shkarkojë ata, por ta rishikojë qasjen dhe të krijojë komunikim normal institucional e pa paragjykime, pasi, sipas tyre, ndërmarrja ndodhet në një udhëkryq.

Madje, sipas tyre, fakti që ajo ka vendosur t’i shkarkojë ata pa pasur një raport objektiv të vlerësimit dhe pa pasqyruar përgjegjësitë individuale, tregon mungesën e profesionalizimit dhe qëllimin denigrues e politik të vendimit.