Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në mbledhjen e fundit në janar ka nxjerrë vendimin për miratimin e Rregullores për Menaxhimin e Komisioneve dhe Shpenzimeve Operative të Siguruesve. Me ndryshimet e reja në këtë rregullore parashihen masa rigoroze ndaj kompanive të sigurimit kur janë në pyetje shpenzimet e tyre operative.
Deri më tani, për shpenzime operative, siguruesit (kompanitë e sigurimeve) kanë pasur të drejtë të bëjnë shpenzime të përgjithshme në para të gatshme, deri në maksimum 35% të totalit të primit të pranuar në para të gatshme, nga të gjitha klasat e sigurimeve.
Mirëpo ky obligim jo gjithherë është zbatuar nga kompanitë e sigurimeve, duke i rritur shpenzimet përtej këtij pragu, dhe duke rrezikuar kështu funksionimin normal të tyre.
Me rregulloren e re, një kopje të te cilës e ka siguruar Buletini Ekonomik, shpenzimet e kompanive nuk guxojnë të jenë më shumë se 24% të totalit të primit të pranuar në para të gatshme, nga të gjitha klasat e sigurimeve.
Buletini Ekonomik mëson se një faktor tjetër që ka ndikuar në rritjen e çmimit të sigurimit prej 26 për qind, është pikërisht mosrespektimi i këtij pragu prej 35% të shpenzimeve nga kommpanitë në treg.
Ndryshe, drejtuesit e BQK-së, në konferencën për media kur u njoftua rritja prej 26 për qind e çmimit të sigurimit, kanë paralajmëruar ndërmarrjen e një sërë masash ndaj kësaj industrie. /Buletini Ekonomik/