BQK nxjerrë rregullore të re për shpenzimet e kompanive të sigurimeve

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në mbledhjen e fundit në janar ka miratuar vendimin për miratimin e Rregullores për Qeverisjen Korporative të Siguruesve.

Buletini Ekonomik mëson se me ndryshimet e reja në këtë rregullore parashihen masa rigoroze ndaj kompanive të sigurimeve kur janë në pyetje shpenzimet e tyre operative.

Deri më tani, për shpenzime operative, siguruesit (kompanitë e sigurimeve) kanë pasur të drejtë të bëjnë shpenzime të përgjithshme në para të gatshme, deri në maksimum 35% të totalit të primit të pranuar në para të gatshme, nga të gjitha klasat e sigurimeve.

Reklama e sponzorizuar

Mirëpo ky obligim jo gjithherë është zbatuar nga kompanitë e sigurimeve, duke i rritur shpenzimet përtej këtij pragu, dhe duke rrezikuar kështu funksionimin normal të tyre.

Buletini Ekonomik mëson se një faktor tjetër që ka ndikuar në rritjen e çmimit të sigurimit prej 26 për qind, është pikërisht mosrespektimi i këtij pragu prej 35% të shpenzimeve nga kommpanitë në treg.

Tani, mbetet të shihet se cili do të jetë pragu i shpenzimeve me rregulloren e re pasi e njëjta të publikohet në ueb faqe të BQK-së.

Ndryshe, drejtuesit e BQK-së, në konferencën për media kur u njoftua rritja prej 26 për qind e çmimit të sigurimit, kanë paralajmëruar ndërmarrjen e një sërë masash ndaj kësaj industrie. /Buletini Ekonomik/