Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për heqje të pjesshme të taksës ndaj mallrave të Serbisë, është “lojë manovruese”.
Ai i është referuar edhe të dërguarit të posaçëm të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.
“Grenell ka thënë se taksa duhet të hiqet plotësisht. Kjo është lojë manovruese që sa më shumë të mjegullohet thelbi i politikës së Kurtit. E thelbi shihet në zyrën e tij, ku qëndron flamuri i Shqipërisë, e jo ai i Kosovës”, ka thënë Daçiq të shtunën në një intervistë për “TV Prva”.
Sipas tij, është jologjike që nga Serbia të kërkohet të ndalet fushata për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti ditë më parë paralajmëroi se më 15 mars do ta heq taksën vetëm për lëndën e parë që vjen nga Serbia, ndërkohë shtoi se më 1 prill mund ta heq plotësisht nëse Serbia reflekton dhe jep sinjale se do të ndalë fushatën për tërheqje të njohjeve.