Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi i cili mori pjesë në tryezën e diskutimit që Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar me temën “Dialogu Kosovë-Serbi: Çfarë pas formimit të Qeverisë së re dhe përfshirjes amerikane?”, thotë se “tarifa do të hiqet dhe do të zëvendësohet me masa reciproke ndaj Serbisë”.
Ai përmes një statusi në Facebook, shkruan se reciprociteti nuk është veprim aktiv apo agresiv, por reaktiv.
“Është një përgjigje ndaj veprimeve të Serbisë ndaj Kosovës, që do të thotë se nëse Beogradi zyrtar nuk vendos barriera ndaj Kosovës, as Prishtina zyrtare nuk do të vendosë barriera ndaj Serbisë. Reciprociteti në marrëdhënie bilaterale me Serbinë është minimumi i dinjitetit shtetëror për të cilin Kosova do të insistojë. Kështu, ne do të përmbushim një zotim tonin parazgjedhor por edhe do të respektojmë një kërkesë eksplicite të aleatëve tanë perëndimorë, me theks të veçantë të SHBA’së, si parakusht që ajo të fasilitojë dialogun”, shkruan deputeti Gashi.
Sipas Gashit, dialogu që rezulton me njohjen e ndërsjellë mes të dy vendeve, mbi të gjitha është interes i Kosovës.
“Ne jemi të përkushtuar që ky proces të përfundoj sa më shpejtë. Por, kjo nevojë nuk nënkupton që duhet të ngutemi e të përfundojmë me zgjidhje të keqe të çështjes. Ashtu siç e ka thënë edhe Qeveria, si bartëse e këtij procesi, dialogu duhet të ndërtohet mbi disa parime të pajtuara, për të cilat ne si Kuvend, Qeveria, opozita, por edhe shoqëria civile dhe akademia, duhet të pajtohemi”, shkruan tutje deputeti Gashi.
Dy parimet kryesore mbi të cilat duhet të pajtohemi të gjithë janë:
• Nuk diskutohen kufijtë, as të Kosovës, as të Serbisë
• Nuk diskutohet rendi kushtetues i Kosovës
“Duke hequr tarifën tregtare dhe vendosur reciprocitetin, ne, dëshmojmë se jemi partner serioz në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe i japim shansin e kërkuar dialogut me fqinjin tonë verior”, përfundon Gashi.