Subjekt i auditimit të brendshëm në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) janë të gjitha pozitat, përfshirë edhe ajo e guvernatorit Fehmi Mehmeti, por kjo nuk e ka penguar këtë të fundit që të marrë pjesë në komisionin vlerësues për zgjedhjen e auditorit të ri.
Buletini Ekonomik përmes burimeve të sigurta në BQK mëson se në komisionin vlerësues, përveç guvernatorit, kanë qenë edhe dy zëvendësguvernatorët, Sokol Havolli e Lulzim Ismajli.
Deri më tani, Shef i Auditimit të Brendshëm në BQK ka qenë Bezad Halilaj, ndërsa pas skadimit të kontratës të këtij të fundit, në një proces të dyshimtë është emëruar në këtë pozitë Labinot Lekaj.
Ndërkaq, guvernatori Mehmeti, përveç në komisionin vlerësues, ka marrë pjesë edhe me rastin e votimit në Bordin e BQK-së, meqë sipas ligjit për BQK-në, kjo pozitë duhet ta marrë në fund miratimin e Bordit.
“Me një fjalë guvernatori e ka udhëhequr të gjithë procesin. Ka marrë pjesë në komisionin vlerësues dhe ka votuar në Bordin e BQK-së”, kanë thënë këto burime.
Nga ana tjetër, sipas ligjit për BQK-në, pozita e shefit të auditorit të brendshëm është pozitë që i përgjigjet vetëm Bordit të BQK-së, bord ky të cilit i raporton edhe vetë guvernatori Mehmeti. Kjo pozitë për nga hierarkia është e treta më e rëndësishmja në këtë institucion dhe supozohet që ta ketë pavarësinë e saj karshi ekzekutivit të këtij insititucioni. Me pjesëmarrjen e guvernatorit në komisionin vlerësues, është vënë në dyshim kjo pavarësi.
“Shefi i Auditimit të Brendshëm të Bankës Qendrore do të emërohet nga Guvernatori me miratimin e Bordit të Bankës Qendrore”, thuhet në nenin 60 të Ligjit për BQK-në.
Për gjashtë vite pozitën e shefit të auditorit të brendshëm në BQK e ka ushtruar Bezad Halilaj, të cilit nuk i është vazhduar mandati i dytë në këtë pozicion.
Në një përgjigje me shkrim nga Zyra për Informim në BQK nuk kanë dhënë shumë detaje rreth këtij procesi.
Ndërkaq, në ueb faqe të këtij institucioni, është dhënë vetëm një njoftim i shkurtër. “Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur mbledhjen të datës 20 shkurt 2020 mori vendim si në vijim: Bordi miratoi emërimin e Shefit të Auditimit të Brendshëm”, thuhet aty.
I kontaktuar nga Buletini Ekonomik, ish-Shefi i Auditorit të Brendshëm, Bezad Halilaj e ka konfirmuar se atij nuk i është vazhduar mandati, por as ai nuk ka dashur të lëshohet në detaje rreth konkursit. /Buletini Ekonomik/