EQAR-i, i shqetësuar me veprimet e qeverisë së kaluar, kërkon kujdes

Ndërhyrja e fundit e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, në Agjencinë e Kosovës për Akreditim është parë me shqetësim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e lartë. Colin Tück, drejtor i këtij institucioni evropian prej të cilit AKA u përjashtua vitin e kaluar, i ka bërë thirrje Bordit të Agjencisë të ketë kujdes se si e trajton letrën e Haradinajt me të cilën ditë më parë ai kërkoi t’u kushtohet kujdes i veçantë kërkesave të kolegjeve private.

Drejtori i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e lartë, Colin Tück, ka shprehur shqetësim lidhur me ndërhyrjen e fundit të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, në Bordin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim që njihet si Këshilli Shtetëror i Cilësisë, raporton KTV.

Tücku, në një përgjigje për KOHËN, ka theksuar se ndërhyrjet në një institucion të pavarur, siç është kjo agjenci, janë të papranueshme për EQAR-in.

Reklama e sponzorizuar

“Zyrtarët publikë duhet të përmbahen nga dhënia e instruksioneve ose duke u munduar t’i tregojnë Agjencisë si ta kryejë punën e saj. Nëse nuk e bëjnë këtë, mund të rrezikojnë që Agjencia të mos vlerësohet si e pavarur dhe të ketë pasoja për njohjen nga institucionet evropiane. Zakonisht legjislacioni parasheh që Qeveria të mund të kërkojë që veprimet e ndonjë agjencie të pavarur, si AKA-ja të rishikohen nga gjykata. Njëherësh, nëse një Qeveri ka çfarëdo shqetësimesh, atëherë mund ta shfrytëzojë këtë shteg zyrtar”, ka thënë Tück.

Ai shpreson që Agjencia të mos lejojë që kjo letër të ndikojë në vendimet e saj. Tücku ka shtuar se pret që Qeveria e re ta mbështesë AKA-n në kryerjen e punës së saj në mënyrë profesionale e të pavarur pa ndonjë ndërhyrje.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, qasja e strukturave të caktuara politike në këtë rast edhe e Haradinajt është shumë e dëmshme dhe do ta vonojë rianëtarësimin e AKA-s në institucionet ndërkombëtare ENQA dhe EQAR.

Osmani ka kërkuar që Bordi ta injorojë letrën e Haradinajt dhe ta kryejë punën pa ndikime politike.

Ndërkaq ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, është zotuar se do të kujdeset që institucionet sikurse Agjencia e Akreditimit të mos kenë ndërhyrje politike e as të ushtrohet presion.

“Përmes këtij vizioni ne do të përmbushim parakushtin që Agjencia e Akreditimit të rianëtarësohet në ENQA dhe EQAR dhe të jetë në gjendje të ushtrojë kompetencat e plota në përmbushjen e mandatit të saj. Vizioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe imi si ministre e këtij dikasteri është përmirësimi i cilësisë së arsimit në vendin tonë, si dhe lidhja më e mirë e arsimit me tregun e punës, dhe në këtë kuadër, mosndërhyrjet politike janë parakusht themelor i cili do të plotësohet me përpikëri nga ana jonë”, ka thënë Bajrami.

KOHA, ka tentuar të marrë një qëndrim nga kryetari i Bordit të AKA-s Gazmend Luboteni, por ai ishte i paqasshëm. Ditë më parë, në një përgjigje për “Kohën Ditore”, i njëjti tha se vendimet e tyre janë profesionale, të paanshme dhe të bazuara në rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë.

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, më 28 janar të këtij viti derisa ishte ende në detyrë, i shkroi letër kryetarit Luboteni dhe ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë së Akreditimit, Avni Gashi, ku kërkonte të kenë kujdes të veçantë në trajtimin e kërkesave që vijnë nga kolegjet.

Ai kishte ndërhyrë në këtë agjenci edhe në shtator të vitit 2017. Me kërkesë të tij, ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, shkarkoi komplet Këshillin Shtetëror të Cilësisë dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të Agjencisë.

Për këtë arsye, dy institucionet evropiane të arsimit të lartë, EQAR dhe ENQA e përjashtuan Agjencinë e Kosovës për Akreditim.