Flet fqinji që takoi policen disa minuta para krimit në Gjilan

Familja Bllaca, ka hapur të pame në Cërnicë të Gjilanit, fshat nga ku e kanë prejardhjen pesë të vrarët në tragjedinë e djeshme të Gjilanit.

Familja Bllaca nga fshati Cerrnicë i komunës së Gjilanit kanë hapur të pame për pesë anëtarët e familjes së tyre që vdiqën si pasojë e vrasjes së shumëfishtë mesditën e së martës.

Të afërm të kësaj familje prapa kamerës, RTV Dukagjinit i kanë thënë se ata, nuk kanë pasur probleme financiare ose pronësore, siç është raportuar në media dhe se ende nuk e dinë shkaktarin pse ka ardhur deri tek vrasja e shumëfishtë.

Reklama e sponzorizuar

Fqinjët e familjes Bllaca që jetojnë në lagjen “Bujanina” thonë se familja tani më e ndjerë nuk ka pasur probleme me askënd nga fqinjët.

“Raportet kryesisht kanë qenë të mira me fqinjët. Fqinjët nuk dinë gjëra të këqija për ta. Si i kanë pasur raportet e brendshme familjare ne nuk e dimë. Nga fqinjët tjerë që kanë banuar afër në banesë me ta, flitet se kanë pasur grindje vazhdimisht”, tregon Njazi Idrizi.

Njaziu thotë se të martën rreth orës 12:00 e ka takuar policën Valdete Bllaca për herë të fundit.

Gjatë ditës së djeshme kam takuar policen rreth orës 12:00. Ka biseduar me dikë në automjet. Kanë qenë një burrë dhe një grua…Pas një kohe kur jam kthyer, policia kishte vendosur shiritat. Më thanë se ka ndodhur një krim”, deklaroi më tej Njazi Idrizi.