Fshesa e madhe e Qeverisë Kurti

Qeveria e koalicionit VV-LDK, ende pa i mbushur tri javë të plota pune ka aktivizuar “fshesën”. Me arsyetimin se ndërmarrja është në gjendje të rëndë financiare, se ndodhet në prag të falimentimit dhe se ka dështuar në përmbushjen e objektivave afariste, Qeveria Kurti, të mërkurën ka marrë vendim për shkarkimin e Bordit të Telekomit.

Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ekzekutivi ka marrë vendim edhe për krijimin e “listës rezervë” të sekretarëve të përgjithshëm të ministrive. Ata janë kryesisht zyrtarë të ministrive që janë prekur nga reduktimi i numrit të tyre, nga 21 sa ishin në Qeverinë Haradinaj, në 15 sosh sa janë tash.

Ndryshe nga sekretarët e përhershëm që në “listën pritëse” janë futur për shkak të “riformatimit”, ai i Ministrisë së Bujqësisë, Kapllan Halimi, është pezulluar nga puna për shkak të dyshimeve se është njëri nga zyrtarët e përfshirë në abuzimin e miliona erove të buxhetit. Vendimin për pezullimin e Halimit dhe të kryeshefit të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë, Ekrem Gjokaj, e ka marrë ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa.

Reklama e sponzorizuar

Qeveria e koalicionit VV-LDK ka paralajmëruar edhe të tjera vendime. Të mërkurën, nga zyrtarë të ekzekutivit është thënë se shumë shpejt do të merret vendimi për suspendimin e përkohshëm të punimeve në disa hidrocentrale dhe rishikimin e projektit të autostradës së Gjilanit. Ka paralajmërime edhe për anulimin e projektit një miliardësh të autostradës së Dukagjinit.