GLPS i kërkon Qeverisë së re t’i ndalojë ndërhyrjet në Agjencinë e Akreditimit

Trajtim të kujdesshëm dhe të veçantë ndaj Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) i ka kërkuar Qeverisë së re Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Përmes një reagimi për media, GLPS-ja i ka bërë thirrje Qeverisë në ardhje të distancohet nga çfarëdo praktike e ngjashme e Qeverisë së fundit, që është në kundërshtim me mandatin e agjencive të pavarura, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas GLPS-së, një nga prioritetet e kësaj qeverie duhet të jetë adresimi i pasojave të shkaktuara nga veprimet e Qeverisë Haradinaj me qëllim të rianëtarësimit sa më të shpejtë të AKA-së në dy institucionet evropiane të arsimit të lartë, ENQA dhe EQAR. Kjo, sipas GLPS-së, do të siguronte cilësinë e kërkuar në sistemin e arsimit të lartë dhe garantimin e pavarësisë së cenuar të Agjencisë.

Reklama e sponzorizuar

Më 28 janar, kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, përmes një letre i porositi kryetarin e Bordit të Agjencisë së Akreditimit, Gazmend Luboteni, dhe ish-ushtruesin e detyrës së drejtorit të AKA-së, Avni Gashi, të kenë kujdes në trajtimin e kërkesave të kolegjeve. Madje iu kërkoi përgjigje zyrtare rreth kësaj çështjeje.